Showbiz

Dua Lipa po “kthehet në shtëpi”

Dua Lipa

Dua Lipa

Shqiptarja me famë botërore, Dua Lipa, ka thënë se e përjetoi mëngjesin më të bukur sot pasi kur u zgjua nga gjumi e kuptoi se të gjitha biletat për koncertin e saj që do ta mbajë në stadiumin "Wembley" vitin e ardhëm, janë shitur.

Ajo ka përdorur shprehjen e famshme të tifozëve të Anglisë “It’s coming home” (po vjen në shtëpi), duke e lidhur me kombëtaren e Anglisë, e cila do të luajë kundër Spanjës në finalen e Kampionatit Evropian. (Nocioni përdoret në kontekstin “kupa/futbolli po kthehet në shtëpi”, pasi Anglia është vendi ku është shpikur futbolli).

"Dëgjova se po vjen në shtëpi prandaj mendova të kthehem edhe unë (PRAP). WoW ky mëngjes është më i miri. Të gjitha biletat për koncertin në stadiumin Wembley janë shitur brenda minutave. Ju dua aq shumë sa që po shtojmë edhe një tjetër datë për ju!! E shtunë 21 qershor 2025, në stadiumin ‘Wembley’, biletat në shitje tani”, ka shkruar Lipa në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram ku postoi një video ku shihet duke u zgjuar nga gjumi.

Ajo së fundmi ka perfomuar në skenën kryesore, “Pyramid”, në festivalin “Glastonbury”.

Pas gëzimit që përjetoi pasi u shfaq në këtë skenë, ajo dha lajmin se do të mbajë koncert në stadiumin, i cili ka kapacitet për 90 mijë persona.

Ajo më pas ka publikuar për herë të parë fotografi me të dashurin e ri, aktorin Callum Turner.

Këngëtarja e hitit “Houdini” është në lidhje romantike me aktorin 34 vjeç, që nga muaji janar dhe që nga ajo kohë asnjëri nga ta nuk ka komentuar publikisht rreth lidhjes.

Lipa ka konfirmuar thashethemet me anë të një postimi në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Instagram, ku shfaqi disa fotografi, në dy prej të cilave shihet bashkë me Turnerin.

Lexo edhe 

Dua Lipa paralajmëron koncert në stadiumin “Wembley” - KOHA.net