Dua Lipa nuk ishte artistja e vetme me prejardhje shqiptare që ka performuar në edicionin e sivjetmë të festivalit më të madh të muzikës në botë, “Glastonbury”. Është Aurora Nishevci, pjesë e grupit nga Londra “The Last Dinner Party” që të shtunën u ngjit në skenë.
Grupi i muzikës rok performoi albumin e lansuar në shkurt.
Në grup janë pesë vajza. Shqiptarja Nishevci luan në piano dhe shërben edhe si zë përcjellës. Ajo ka lindur në Londër ndërsa prindërit e saj janë nga Kosova.
“The Last Dinner Party” është grup i formuar në Londër në vitin 2021.
Një nga shqiptarët që ka përcjellë nga afër performancat në këtë festival, Besim Gërguri, ka shkruar në rrjete sociale për paraqitjen e Nishevcit. Ai ka thënë se ajo ka performuar në gjuhën shqipe për herë të parë në këtë festival.
“Jemi jashtëzakonisht krenarë për Aurorë Nishevcin, e cila ka bërë histori duke performuar në gjuhën shqipe, për herë të parë në Festivalin Glastonbury! Aurora, e lindur në Londër nga prindër shqiptarë nga Kosova, pianiste e bendit The Last Dinner Party, solli kulturën dhe gjuhën tonë në një nga skenat më prestigjioze të botës. Një moment historik për të gjithë shqiptarët!” ka shkruar ai teksa ka publikuar edhe foton e Nishevcit.