Dua Lipa ka njoftuar për turneun e saj të ri botëror që do të zhvillohet në vitin 2025, për albumin e saj të fundit “Radical Optimism”.
Këngëtarja nga Kosova e cila ka fituar tri çmime “Grammy” dhe shtatë çmime “Brit Awards”, pritet të udhëtojë gjatë gjithë vitit të ardhshëm, për 40 koncerte që janë planifikuar të zhvillohen në Australi, Zelandë të Re, Amerikë Veriore, Evropë dhe Britani, shkruan Daily Mail.
Derisa karriera e Duas vazhdon të rritet dhe të forcohet, njoftimi për një turne të ri vjen vetëm pak pasi ajo u ngjit në skenën e “Glastonbury Festival” në fillim të kësaj vere.

Dua ka arritur një kulm të ri në karrierën e saj, me numrin e fansave në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave.
Turneu për “Radical Optimism” do të nisë këtë vjeshtë me shfaqje të paralajmëruara më parë në Azi, duke përfshirë ndalesa në Singapor, Xhakartë, Tokio dhe Kuala Lumpur.

Më pas do të përfundojë të enjten më 5 dhjetor në Seul të Koresë Jugore.
Ndërkaq koncertet e vitit 2025 fillojnë më 20 mars në Melburn, duke vazhduar me Sydney, Auckland, Madrid, Hamburg, Paris, Amsterdam, Londër dhe Dublin.
Më pas ajo do të shkojë në Toronto, Çikago, Nju Jork, Miami, Los Anxhelos dhe shumë të tjera përpara se të përfundojë në Seattle më 16 tetor në Climate Pledge Arena.
Dua, 29-vjeçare, ka fituar çmimin "Best Choreography" për videoklipin e këngës "Houdini" në ceremoninë e ndarjes së çmimeve "MTV Video Music Awards" që është mbajtur më 11 shtator në New York.
