Dua Lipa rikthehet me albumin e saj të tretë “Radical Optimism” këtë të premte.
Albumi flet për gjetjen dhe mbrojtjen e paqes tuaj në ujërat e rrezikshme – një maturim tematik për fituesen e çmimeve “Grammy”.
Në një intervistë të martën për Associated Press, Dua ka folur gjerë e gjatë për albumin i cili pritet të vijë brenda pak ditësh.
Këngëtarja me famë botërore tregon se çfarë nënkupton edhe titulli “Radical Optimism”.
“Ideja për të pasur një prirje optimiste gjatë gjithë kohës. Ka një ndjenjë euforie, ka një thellësi në të gjitha këngët që të bëjnë të ndihesh mirë, një ndjenjë e komunitetit. Po, nuk e di. Është diçka që mund ta ndash me njerëz të tjerë. Është diçka që shpresoj se pavarësisht se çfarë po ndodh, do të sigurojë atë paqe lumturie dhe optimizmi. Pra, po, me siguri. Dhe muzika e kërcimit ka një histori kaq të gjatë në krijimin e atij ambienti, duke krijuar një hapësirë kaq të sigurt. Dhe unë thjesht dua ta mishëroj atë”, ka thënë Lipa.
Këngëtarja 28-vjeçare ka treguar se si ka arritur që në albumin e ri të mos i lejojë idetë e mira t’i ikin, gjë që siç ka theksuar, i ka ndodhur në dy albumet e mëparshme.
“Kjo është diçka që e kam bërë me të vërtetë shumë me këtë album, që nuk e kisha bërë kurrë në albumet e mia të mëparshme, është se nuk e lashë kurrë të më ikte një ide e mirë. Pra, ne do të shkruanim diçka dhe pastaj mbase disa javë më vonë do të ktheheshim dhe ta dëgjonim, dhe pastaj t'i ktheheshim përsëri dhe ndoshta të ndryshojmë një melodi, dhe t'i ktheheshim deri sa me të vërtetë ndjeheshim sikur ishte perfekt”, ka shtuar ajo.
AP-ja e përmend edhe faktin që Dua ka lindur në Kosovë, dhe se pasi kishte jetuar për disa vjet në Kosovë pas lufte, ajo në moshën 15-vjeçare ishte kthyer në Londër për të nisur karrierën si pop-yll.
Në shkrimin e AP-së theksohet ndër të tjera se Dua Lipa ka punuar shumë për të arritur aty ku është, si një fituese e disa çmimeve prestigjioze “Grammy”.