Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka treguar se kishte ëndërruar të këndonte në skenën kryesore të festivalit të mirënjohur Glastonbury, që kur ishte duke shkruar albumin e parë.
“Ndërkohë që po shkruaja albumin e parë e kam pas shkruar diku se kur të bëj incizimin tim të tretë, do të doja të këndoja në skenën kryesore të Glastonburyt”, ka thënë Lipa në podcastin “Dish”.
Ajo ka treguar gjithashtu se dy vjet më parë i kanë thënë se duan ta kenë në skenën kryesore të këtij festivali.
“E kam marrë telefonatën më 22 nëntor në fund të turneut ‘Future nostalgia’ ndërsa po kthehesha nga Australia. Më kujtohet se po shikoja emailat dhe kishte një me titull ‘Glastonbury’ dhe thash me vete ‘kjo qenka interesat’ dhe kur e hapa nuk po mund ta besoja se çfarë po lexoja. U desh ta rifreskoja faqen nja dy herë vetëm që ta shoh se është përnjëmend. Ishte emaili më i mirë i të gjitha kohërave dhe nuk mendoj se e kam shikuar inboxin tim më që atëherë”, ka thënë shqiptarja.
Në këtë podcast ajo ka thënë gjithashtu se kur shkon në turne, në mënyrë që të jetë e fokusuar dhe me energji, e lë alkoolin.
“Kur i përmbahem rutinës, trupin e kam të fortë dhe mund të përballojë performimet”, ka thënë ylli.