Julian Lennon, djali 61-vjeçar i këngëtarit të ndjerë John Lennon, legjendës së grupit “The Beatles”, ka folur rreth përvojës shqetësuese për shëndetin.
Ai ka thënë se është trajtuar për kancer të lëkurës për herë të dytë.
Julian ka kryer operacion urgjent në dy zona të trupit të tij, një në shpatull dhe tjetrën në parakrah, ka raportuar The New York Post.

Julian, në një intervistë për “Good Morning America” ka treguar se mori një telefonatë urgjente nga dermatologu i tij para se të fluturonte për në Los Angeles.
“Pasi përfundova punën në GMA, mora një mesazh nga Dr. Tess, me urgjencë që të kthehesha për në Los Angeles, pasi kisha dy zona në lëkurë, një në shpatull dhe një në parakrah, njëra prej të cilave ishte melanomë dhe duhej operuar sa më shpejt!”, ka përshkruar Julian.
Ai këtë e bëri ndërkohë që, në intervistën në fjalë, po promovonte librin e tij të ri, “Life’s Fragile Moments”.
Julian ka falënderuar dermatologun që i shpëtoi jetën edhe para disa vjetësh, kur i kishte hequr një nishan kancerogjen.
Ai fluturoi drejtpërdrejt për në Los Angeles pas punës në New York dhe shkoi menjëherë nga aeroporti LAX në spital për të kryer operacion.
Operacioni ishte i suksesshëm, por ai nuk ishte i sigurt nëse rezultatet e biopsisë do të vinin para Krishtlindjeve.
Ai në rrjete sociale ka falënderuar mjekët e tij për organizimin e operacionit me kaq shpejtësi, duke shpresuar që përsëri ia kanë shpëtuar jetën.
Julian ka inkurajuar ndjekësit e tij të bëjnë kontrolle të rregullta për shëndetin.
“Nuk do t'ju marrë shumë kohë dhe mund ta shpëtoni jetën tuaj. Prandaj, për hir të vetes, familjes dhe miqve tuaj, shkoni te mjeku dhe bëni atë që duhet. Unë e dua jetën dhe dua të jetoj për shumë vjet dhe kjo është një nga mënyrat që mund të ndikoni në të ardhmen tuaj”, ka shkruar ndër të tjera Julian.

Kjo nuk është hera e parë që Julian përballet me kancer lëkure. Në vitin 2020, ai pati njoftuar se kishte hequr një nishan, biopsia e të cilës tregoi se ishte kancerogjen.