Reperi i njohur P. Diddy, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, ka apeluar vendimin e gjykatës që ia refuzoi dorëzaninë, duke thënë se ai duhet të lirohet nga burgu para se të gjykohet sepse vendimi i gjykatës për ta mbajtur në paraburgim është “i bazuar në spekulime”.
Avokatët e gjigantit të Hollywoodit dorëzuan apelin në gjykatë të martën, ndërkohë që themeluesi i “Bad Boy Records” po mbahet në paraburgim në Brooklyn, që kur u arrestua muajin e kaluar me akuza për trafikim seksual e shantazh.

Zyra e Prokurorit në Manhattanit ka bindur gjykatën se Combs nuk duhet liruar sepse ka rrezik se mund t’i shantazhojë viktimat apo të arratiset.
Por, avokatja mbrojtëse, Alexandra Shapiro, ka pretenduar se argumenti që përdori prokuroria për ta bindur gjykatën është i bazuar në spekulime, i mbështetur kryesisht në pretendime dhe i pabazuar në fakte.
54 vjeçit i është mohuar dy herë lirimi me kusht, përfshirë edhe ofertën e tij për dorëzani prej 50 milionë dollarësh, ofrimin për të qëndruar nën monitorim elektronik e kushte të tjera.

“Ai ka udhëtuar në New York për t’u dorëzuar sepse e ka ditur se do të burgoset. Ai ka bërë hapa të jashtëzakonshëm duke u munduar të demonstrojë që po dëshiron të përballet dhe të kontestojë akuzat, e jo të arratiset. Ai ka prezantuar një pako, e cila do ta ndalonte atë të përbënte ndonjë rrezik ndaj kujtdo si dhe komunikimin me dëshmitarët”, ka shkruar ekipi ligjor i Combs.

Reperi, i cili mban titullin “ikonë globale” akuzohet për organizim të festave të ashtuquajtura “të çmendura” ku pretendohet se ka pasur dhunë, detyrim, trafikim seksual, detyrim, shantazh e drogim, prostitucion e shumë akuza të tjera, ndërkohë që është deklaruar i pafajshëm.