Reperi i njohur, P.Diddy, është akuzuar se e ka përdhunuar një grua pasi ajo e akuzoi atë për vrasjen e reperit të njohur Tupac Shakur.
Në një padi që u dorëzua në Gjykatën e Kalifornisë nga një grua e quajtur Ashley Parham, pretendohet se reperi, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, e ka kërcënuar se “do të ia presë fytyrën më thikë” si hakmarrje ndaj komenteve që ka bërë ajo, ka shkruar BBC.
Combs, ende nuk e ka adresuar këtë pretendim ndërkohë që i ka mohuar akuzat për krime seksuale.
Ai gjithashtu ka mohuar se është i përfshirë në vrasjen e reperit të famshëm Tupac Shakur, ngjarje kjo që ka ndodhur në vitin 1996 në Las Vegas.
Rasti i kësaj vrasjeje nuk është zgjidhur asnjëherë, ani pse ish-anëtari i një bande, Duane “Keffe D” Davis, vitin e kaluar është akuzuar për vrasjen e Tupac Shakurit. Gjyqi ndaj tij pritet të mbahet në muajin mars të vitit të ardhshëm. Davis më parë ka bërë pretendimin se Combs i pati ofruar 1 milion dollarë për ta vrarë Shakurin.
Në dokumentet e padisë së Parhamit, të cilat të martën u dorëzuan në Gjykatën e Kalifornisë, ajo ka thënë se “ra në radarin e Combsit pasi u takua me një nga shokët e tij në një bar në vitin 2018”.
Ajo ka cekur se shoku i reperit, po mundohej t’ju linte përshtypje njerëzve duke bërë një bisede telefonike me Combsin përmes kamerës, në të cilën Parham refuzoi të merrte pjesë pasi besonte se reperi ka të bëjë me vrasjen e Tupac Shakurit.
Në padi thuhet se Combs i dëgjoi këto komente dhe i ka thënë Parhamit se “do të bëj të paguash për këto fjalë”.
Ajo në dokumente ka shpjeguar tutje se shoku e ka ftuar në shtëpinë e tij në mënyrë që Parham t’i jepte disa këshilla për ilaçe kundër kancerit ndërkohë që pa pritur është shfaqur Combs, i cili ju ka afruar duke ia afruar një thikë në fytyrë dhe e ka kërcënuar se do të ia presë fytyrën pasi ka bërë ato komente.
Në padi thuhet se pastaj Combs ia ka shqyer rrobat e Parhamit dhe e ka përdhunuar në mënyrë të dhunshme me anë të një telekomandeje ndërkohë që i thoshte se jeta e saj është në duart e tij dhe nëse ai do të dëshironte ajo do të zhdukej.
Parham pretendon se është dhunuar nga disa persona derisa nuk kishte më kontroll mbi trupin e saj dhe nuk mund të lëvizte.
Ajo pretendon se është munduar të ikte por është konfrontuar nga Combs, i cili i ka ofruar para për të thënë se e gjitha ndodhi me pëlqimin e saj.
Ajo ka treguar se ka vrapuar të kërkojë ndihmë nëpër fqinjë ndërkohë që pati të shtëna në drejtim të saj, pas dëgjimit të së cilave u njoftua policia.
Parham ka thënë se i ka treguar policisë se është përdhunuar nga grup njerëzish, përfshirë Combsin, por asgjë nuk u ndërmor për këtë çështje.
Ajo po e padit Combsin dhe gjashtë persona të tjerë për kryerjen e disa krimeve seksuale ndaj saj dhe po kërkon gjykim me anë të jurisë.
Padia e Parhamit është e fundit nga dhjetëra padi që janë ngre kohëve të fundit kundër Combsit për krime seksuale, duke filluar nga padia e parë e cila u ngrit në fund të vitit të kaluar nga ish e dashura e tij për dhjetë vjet, këngëtarja Cassie, padi kjo që u zgjidh në instanca private menjëherë të nesërmen.
Sean Combs është arrestuar muajin e kaluar dhe qëndron në burg në Brooklyn. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat që janë ngritur kundër tij, ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar tri herë tashmë, përfshirë edhe dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.
Avokati i tij mbrojtës Mark Agnifillo vazhdimisht është duke u përpjekur që të sigurojë mbrojtjen në liri.
Gjyqi kundër Comsit pritet të nisë ne muajin maj të vitit të ardhshëm.