Showbiz

Diaz: Do të rikthehesha në "The Mask", nëse do të rikthehej edhe Jim Carrey

Jim Carrey dhe Cameron Diaz në filmin "The Mask"

Jim Carrey dhe Cameron Diaz në filmin "The Mask"

Aktorja Cameron Diaz ka thënë se do të ishte e gatshme të rikthehej në rolin e saj nëse do të bëhej një vazhdimësi e filmit “The Mask”, nëse do të rikthehej edhe aktori Jim Carrey.

Pas një periudhe 10-vjeçare pushimi nga aktrimi, Diaz, e cila është rikthyer me filmin e platformës “Netflix” “Back in Action”, ka shprehur se është e gatshme të rikthehet për vazhdimësinë e komedisë “The Mask” të vitit 1994, për sa kohë që Jim Carrey do të ishte i përfshirë në këtë projekt, ka shkruar Variety.

“Po, nëse Jimi do të ishte pjesë, sepse kam qenë duke ia ndjekur hapat e tij që nga dita e parë”, ka thënë Diaz për mundësinë e rikthimit në rolin të saj si Tina Carlyle, këngëtare e një klubi nate.

Në filmin “The Mask”, Carrey luan rolin e Stanley Ipkis, një punëtor i qetë i një banke, të cilit i ndryshohet jeta kur zbulon një maskë, që kur e vë e shndërron atë në një shakaxhi magjik.

Carrey ka theksuar më parë për Comicbook.com se edhe ai do të ishte i hapur për një vazhdim të këtij filmi, për sa kohë që projekti ka një skenar të mirë.

“Duhet të jetë ideja e duhur”, pati thënë Carrey, i cili u rikthye në rolin e doktor Robotnik në projektin filmik “Sonic the Hedgehog 3”.

“Po të kishte dikush idenë e duhur, do të ishte gjithçka. Nuk bëhet fjalë për para. Por kurrë nuk e di. Nuk mund të jesh i sigurt për këto gjëra. Kam thënë se do të tërhiqem, por mendoj se ka të bëjë më shumë me pushimin. Sepse sapo të vijë një ide e mirë, ose një grup njerëzish që do të kënaqesh duke punuar me ta, gjërat ndryshojnë”, pati thënë ndër të tjera Carrey.

Në të njëjtën intervistë, Diaz gjithashtu shprehu interesim për të bërë edhe vazhdimin e filmit të njohur  “Charlie's Angels” me aktoret Drew Barrymore dhe Lucy Liu, duke thënë se Jamie Foxx mund të luante rolin e Bosleyt.

“Do t’i dërgoj një mesazh Liusë tani dhe do t’ia sugjeroj Jamien per rolin e Bosleyt”, ka thënë Diaz me shaka.