Showbiz

David Beckham nis fushatë globale bamirësie me UNICEF për vajzat në nevojë

David Beckham

David Beckham

Foto: Associated Press

Në prag të ditëlindjes së tij të 50-të, ish-futbollisti i njohur, David Beckham ka nisur një fushatë globale bamirësie në bashkëpunim me UNICEF-in, me synimin për të ndihmuar vajzat e pambrojtura në mbarë botën, ka raportuar “FemaleFirst”.

Ish-futbollisti dhe babai i katër fëmijëve e bëri publik lajmin të martën, më 15 prill, si pjesë e një serie ngjarjesh që do të zhvillohen gjatë këtij muaji deri në ditëlindjen e tij më 2 maj.

“Jemi dëshmitarë të një krize globale të financimit, ku fëmijët më të pambrojtur po vuajnë më shumë dhe kanë nevojë urgjente për ndihmën tonë”, ka thënë Beckham, i cili është ambasador i vullnetit të mirë i UNICEF-it që nga viti 2005

Fushata do të ndihmojë:

-vajzat dhe adoleshentet që rrezikohen nga martesa e hershme,

-vajzat që përballen me dhunë apo përdhunime,

-si dhe ato që i nënshtrohen gjymtimit gjenital femëror.

Gjithashtu, nëpërmjet rrjeteve sociale të Beckhamit, do t’i jepet hapësirë zërit i vetë vajzave, të cilat do të ndajnë historitë e tyre dhe punën që bëjnë në komunitetet e tyre.

“Muajin tjetër i mbush 50 vjet. Është një moment i rëndësishëm që më ka bërë të reflektoj mbi mundësitë që kam pasur dhe përvojat që më kanë formuar. Disa nga momentet më domethënëse për mua kanë ardhur përmes punës sime me UNICEF-in. Si baba i katër fëmijëve të mrekullueshëm, e di sa me fat jemi që kemi siguri, arsim dhe kujdes shëndetësor”, ka thënë Beckham në një video te postuar në llogarinë e tij në rrjetin social Instagram.

Ai ka kujtuar edhe vizitën e tij të parë me UNICEF-in në një qendër për gra në Tajlandë, 25 vjet më parë.

“Bota sot është një vend shumë i vështirë për fëmijët, sidomos për vajzat”, ka thënë tutje ai.

Viti 2025 shënon 20 vjet nga roli i tij si ambasador i UNICEF-it, por edhe 10-vjetorin e fondit “7: The David Beckham UNICEF Fund”, i cili ka ndihmuar më shumë se një milion fëmijë në vende si Nepali, Indonezia dhe Xhibuti.

Fillim festiv për 50-vjetorin

Për të nisur festimet, Beckham ka organizuar një mbrëmje elegante në restorantin luksoz “Cipriani” në Miami, ku morën pjesë shumë miq të ngushtë dhe figura të famshme si: Eva Longoria, Tom Brady, Shaquille O’Neal dhe Lionel Messi, si dhe yje të Hollywoodit si Justin Theroux dhe Fisher Stevens.

Nga familja, në festë ishin të pranishëm, djali i tij Romeo (22 vjeç), Cruz (20 vjeç) dhe Harper (13 vjeçe), ndërsa djali madh Brooklyn (26 vjeç) dhe bashkëshortja e tij Nicola Peltz (30 vjeçe) munguan.