Showbiz

Daniel Craig largohet nga filmi i kompanisë DC Studios “Sgt. Rock”

Daniel Craig

Daniel Craig

Foto: Associated Press

Aktori i njohur Daniel Craig nuk është më i lidhur me projektin “Sgt. Rock”, filmi aksion me tematikë të Luftës së Dytë Botërore, i cili do ta ribashkonte atë me regjisorin Luca Guadagnino, me të cilin ka punuar në filmin “Queer”, shkruan “The Hollywood Reporter”.

Historia e filmit “Sgt. Rock” dhe përpjekjet për ta sjellë në ekran

Filmi kishte një skenar nga Justin Kuritzkes, i cili ka punuar edhe në filmat ”Challengers” dhe “Queer”. “Sgt. Rock” është një personazh klasik i komikëve DC, i krijuar nga Robert Kanigher dhe Joe Kubert në vitin 1959.

Ai është një ushtar i ashpër dhe udhëheqësi i Easy Company, një njësi elitare që ka qenë pjesë e disa prej tregimeve më të gjata dhe më të dashura të DC.
Për dekada, Hollywoodi ka tentuar ta sjellë këtë personazh në ekran. Në periudha të ndryshme, Arnold Schwarzenegger dhe Bruce Willis kanë qenë në bisedime për ta interpretuar këtë rol, por projekti nuk është realizuar.

Arsyeja e largimit të Craigit nuk është ende e qartë. Disa burime kanë sugjeruar se oraret e tij nuk u përshtatën me angazhimet e bashkëshortes së tij, Rachel Weisz. 

Të tjerë pretendojnë se dështimi i filmit “Queer”, si në arka filmike ashtu edhe në sezonin e spektakleve të ndarjes së çmimeve, ka bërë që aktori të mos ishte më i interesuar për rolin.
DC Studios planifikon t’i fillojë xhirimet këtë verë në Britani dhe tashmë po kërkon një aktor të ri për rolin kryesor. Një nga emrat që po përmendet më shpesh është Jeremy Allen White.
DC Comics është një nga shtëpitë më të mëdha botuese të librave komikë dhe rival i shtëpisë botuese Marvel. Dy shtëpitë botuese janë më të mëdhatë në industrinë e super heronjve.
DC Comics është në pronësi të “Warner Bros. Discovery”, kurse Marvel Comics është në pronësi të kompanisë “Disney”.

Super heronjtë e DC Comics janë: Superman, Batman, Wonder Woman, The Flash, Aquaman, Joker, Lex Luthor.

Super heronjtë Marvel Comics janë: Spider-Man, Iron Man, Captain America, Hulk, Thor, Black Panther, Thanos.