Showbiz

“Conclave” mposht “The Brutalist” në “BAFTA” që mat pulsin e “Oscars”

“BAFTA”, që të dielën shënoi edicionin e 78-të, konsiderohet si parashikues i çmimeve të mëdha “Oscar”

“BAFTA”, që të dielën shënoi edicionin e 78-të, konsiderohet si parashikues i çmimeve të mëdha “Oscar”

“Conclave”, filmi trilier i regjisorit Edward Berger me një ngjarje që zhvillohet në Vatikan, dhe me aktorin Ralph Fiennes në rolin e një kardinali që mbikëqyr zgjedhjen e një pape të ri, shkoi në ceremoninë e këtij viti të ndarjes së çmimeve “BAFTA” me dymbëdhjetë nominime – më shumë se çdo pretendent tjetër. Përfundoi me gjithsej katër shpërblime në kategoritë si, “Filmi më i mirë”, “Filmi më i veçantë britanik”, “Skenari më i mirë i adaptuar” dhe “Montazhi më i mirë”. 

Gjatë pranimit të njërit prej këtyre çmimeve në skenë, Berger – i cili dy vjet më parë i kishte rrëmbyer të gjitha çmimet kryesore me ripërpunimin e tij të filmit “All Quiet on the Western Front”, tha: “Ne jetojmë në një kohë krize për demokracinë. Institucionet që na kanë bërë bashkë, tani përdoren për të na ndarë. Ndonjëherë është e vështirë ta ruash besimin, dhe kjo është arsyeja pse ne bëjmë filma”. 
Berger, filmi i të cilit përshkruan një betejë mes liberalëve dhe tradicionalistëve që kërcënon të shkatërrojë Kishën Katolike prej brenda, e përfundoi fjalimin duke cituar Leonard Cohenin: “Ka çarje në çdo gjë, kështu hyn drita”.

Regjisori Edward Berger me trofeun e “BAFTAS” për filmin “Conclave” 

“The Brutalist”, drama epike e Brady Corbetit mbi një arkitekt modernist hungarez që punon në Amerikën e pas Luftës së Dytë Botërore, po ashtu ishte në mesin e projekteve fituese duke rrëmbyer çmimet, “Regjisori më i mirë”, “Aktori më i mirë” që shkoi për yllin Adrien Brody, “Kinematografia më e mirë” dhe “Muzika më e mirë”. Në fjalimin e tij në skenë, Brody, falënderoi publikun britanik për pritjen që i kanë bërë atij dhe krijimtarisë së tij. 

“Kohëve të fundit në Angli jam ndier si në shtëpi”, ka thënë ai.  Ai vazhdoi më pas duke falënderuar partneren e tij, disenjatoren Georgina Chapman (e cila është gjithashtu ish-gruaja e Harvey Weinsteinit), të cilën e quajti një engjëll. 
“Po të mos ishe ti dhe prindërit e mi të mrekullueshëm, unë nuk do isha këtu”. 

Brody doli fitues në konkurrencën e përbërë nga aktorët, Timothée Chalamet, ylli i filmit biografik të Bob Dylanit, “A Complete Unknown”, i cili u kthye në shtëpi pa asnjë çmim dhe aktorit Ralph Fiennes, i nominuar shtatë herë për “BAFTA” dhe një herë fitues i këtij çmimi prestigjioz. 

Por befasia ndodhi në kategorinë për “Aktoren më të mirë”, pasi Mikey Madison nga filmi “Anora”, e fitoi këtë çmim duke lënë pas yjet, Demi Moore për performancën në filmin “The Substance” dhe aktoren e shumëpëlqyer të filmit “Hard Truths”, Marianne Jean-Baptiste. Në filmin e shpërblyer me “Palmën e Artë” të regjisorit Sean Baker, Mikey Madison e portretizon një valltare ekzotike që fillon një romancë me djalin e një oligarku rus. Në skenë ajo i bëri dedikim “komunitetit të punonjësve seksualë”, duke thënë: “Unë ju shoh. Ju meritoni respekt dhe dinjitet njerëzor. Do të jem gjithmonë një mike dhe aleate e juaja, si dhe ju bëj thirrje të tjerëve të bëjnë të njëjtën gjë”. 

“BAFTA” për aktorin më të mirë e mori, Adrien Brody për rolin në “The Brutalist” 

Ndërkohë, “Emilia”, filmi muzikor i francezit Jacques Audiard që flet për një lider të një karteli në Meksikë, i cili ndërron identitetin gjatë ikjes nga mafia, rrëmbeu dy çmime (nga 11 nominime gjithsej), përkundër pasojave të vazhdueshme që po i përjeton filmi si rezultat i postimeve ofenduese të gjetura në mediat sociale, të bëra dikur nga ylli i këtij projekti, Karla Sofía Gascón.

Gascón është zotuar të mos prononcohet për mediat qëkur u publikuan postimet e saj tri javë më parë, ku ajo shpreh qartë pikëpamje islamofobike dhe raciste. Ajo kërkoi ndjesë disa herë, duke përfshirë një intervistë njëorëshe në televizionin spanjoll, ku shfaqej e përlotur dhe e penduar për veprimet e së kaluarës, por u përjashtua nga shumë kolegë të filmit “Emilia Pérez”, përfshirë regjisorin Audiard, i cili 10 ditë më parë deklaroi: “Nuk kam folur me të dhe nuk dua të flas”. 

Megjithatë, Audiard, filmi i të cilit ka marrë nominime rekord për “Oscar”, 13 sosh, në ceremoninë e së dielës së “BAFTA” duket se ka zbutur qëndrimet e tij karshi aktores Gascón. Gjatë fjalimit të tij në skenë, çmimin “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” ua dedikoi “artistëve të mrekullueshëm” që ishin të pranishëm në dhomë, para se të shtonte: “Edhe ty, e dashura ime Karla Sofía”. 

Ylli meksikan Gascón në skenë u përshëndet edhe nga aktorja, Zoe Saldaña, e cila u shpall “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, për performancën e shkëlqyer në filmin “Emilia Pérez”. Me lot në sy, ajo vazhdoi duke e falënderuar nënën e saj të cilën e quajtur “person zemërgjerë”, dhe bashkëshortin për të cilin pati vetëm fjalë të mira. “Ti je i preferuar i Zotit dhe një njeri i bukur”, deklaroi Saldaña. 

Saldaña ka fituar të gjitha çmimet për “Aktoren dytësore” që janë dhënë në këtë sezon të shpërblimeve, dhe tani po konsiderohet një fituese e sigurt për çmim “Oscar” në ceremoninë që mbahet pas dy javësh. Po ashtu Kieran Culkin, aktori i filmit “A Real Pain” e forcoi statusin e tij si fituesi i pashmangshëm i çmimit “Oscar” në kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor”, me triumfin e tij në ceremoninë “BAFTA”. Kolegu i tij në film, Jesse Eisenberg, doli në skenë për ta pranuar çmimin, në mungesë të Culkinit, i cili kishte vendosur ta anashkalojë ceremoninë dhe të kalojë kohë me një anëtar të familjes që është në gjendje të keqe shëndetësore. 

Eisenberg gjithashtu ka shkruar skenarin dhe ka bërë regjinë e filmit “A Real Pain”, dhe dukej se ishte personi në sallë që ishte më i befasuar nga fitorja e në kategorinë “Skenari më i mirë origjinal”. Para publikut të pranishëm deklaroi se nuk e priste këtë triumf. 

Një tjetër fitues i dyfishtë i mbrëmjes ishte filmi i animuar “Wallace & Gromit: Vengeance Most Fowl”, i studios filmike “Aardman”, i cili mundi projektet hollywoodiane si ,“Inside Out 2” dhe “The Wild Robot”, dhe rrëmbeu çmimin “Filmi më i mirë i animuar”.

Rich Peppiatt, i cili ishte në garë për gjashtë çmime, arriti ta fitojë vetëm njërin trofe, atë “Regjisori më i mirë debutues britanik”, me filmin biografik “Kneecap”. Në fjalimin e tij, Peppiatt kujtoi se si 15 vjet më parë e kishte takuar gruan. Një dekadë më parë ishin zhvendosur në Irlandë ku edhe e takoi grupin e muzikës hip-hop, që u bë subjekti i filmit të tij brenda një jave.

Zoe Saldaña, e cila u shpall “Aktorja më e mirë në rol dytësor”, për performancën e shkëlqyer në filmin “Emilia Pérez”

Ndërkohë filmi “Super/Man: The Christopher Reeve Story”, që flet për karrierën e aktorit të ndjerë para dhe pas aksidentit shkatërrues, dhe ndikimin që pati te fëmijët e tij, mori çmimin për “Dokumentarin më të mire”. Filmi nuk është i nominuar për “Oscar”, ku fituesi më i mundshëm po konsiderohet dokumentari “No Other Land”, i cili flet për shkatërrimin e Masafer Yatta dhe vjen i realizuar nga një kolektiv palestinezo-izraelit.

Fjalimi më emocional i mbrëmjes ishte ai i aktorit veteran, Warwick Davis, i shquar për role në filma si “Star Wars” dhe “Harry Potter”, i cili u nderua me çmim special “BAFTA”. Ai u shpreh mirënjohës duke thënë se kjo është ndoshta gjëja më e mirë që ka ndodhur në jetën e tij. Tutje, aktori e falënderoi nënën e tij dhe më pas i bëri nderime gruas së ndjerë, Sammy, e cila vdiq pothuajse një vit më parë si pasojë, e asaj që aktori e ka përshkruar si “neglizhencë mjekësore”.

Me zërin e thyer nga emocionet, Davis falënderoi kinematografinë që i ka dhënë shpresë dhe e ka ndihmuar të qeshë dhe të dashurojë përsëri.

Ceremonia u prezantua nga David Tennant, i cili bëri disa goditje të buta ndaj presidentit Donald Trump – disa prej të cilave u ndërprenë nga BBC-ja gjatë transmetimit live.