Showbiz

Conan O’Brien do ta moderojë ceremoninë “Oscar” edhe vitin e ardhshëm

Conan O'Brien

Conan O'Brien

Foto: Associated Press

Pas debutimit të suksesshëm në ceremoninë e 97-të të ndarjes së çmimeve “Oscar”, nga Akademia e Filmit, komediani Conan O’Brien do të rikthehet si prezantues për vitin 2026, ka njoftuar Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit, ka raportuar The New York Times.

Kjo është një nga herët më të shpejta që Akademia ka konfirmuar një moderator për ngjarjen e ardhshme. O’Brien mori vlerësime të larta për prezantimin e tij dhe ceremonia arriti shikueshmërinë më të lartë televizive në pesë vjetët e fundit, sipas ABC News.

“E vetmja arsye pse po e moderoj përsëri ‘Oscarsin’ është që të dëgjoj Adrien Brody të përfundojë fjalimin e tij”, ka thënë me humor O’Brien, duke iu referuar fjalimit të gjatë të aktorit pasi fitoi çmimin “Aktori më i mirë”.

Përveç O’Brien, edhe prodhuesit e spektaklit, Jeff Ross dhe Mike Sweeney, do të rikthehen për të dytin vit me radhë, ndërsa prodhuesit ekzekutivë Raj Kapoor dhe Katy Mullan do të jenë në krye të ceremonisë për të tretin vit radhazi. Ngjarja do të mbahet më 15 mars 2026.

Sfida e prezantimit të "Oscars"

Të drejtuarit e ceremonisë “Oscar” është një detyrë sfiduese. Komediani Chevy Chase e pati quajtur këtë rol “punën më të pashpërblyer në botë”, pasi prezantuesit rrallë marrin meritën kur gjithçka shkon mirë, por shpesh fajësohen kur diçka shkon keq.

Në vitet e fundit, Akademia ka preferuar të konfirmojë më herët prezantuesit. Për shembull, komediani Jimmy Kimmel u njoftua se do të jetë moderator për herë të katërt në muajin nëntor të vitit 2023, ndërsa Conan O’Brien u konfirmua në muajin nëntor të vitit 2024.

“Conan ishte moderatori perfekt, me humor, ngrohtësi dhe respekt për industrinë e filmit”, thuhet në deklaratën e Bill Kramer, drejtori ekzekutiv i Akademisë, dhe presidentja Janet Yang.