Aktori irlandez Colin Farrell ka bërë të ditur se ai dhe ish-partnerja e tij Kim Bordenave kanë marrë një vendim "të vështirë", që ta çojnë djalin e tyre James, i cili vuan nga një çrregullim i rrallë gjenetik i quajtur sindroma Angelman, në një institucion për përkujdesje afatgjate.
James, 21 vjeç, është diagnostikuar me këtë sindromë që ndikon në sistemin nervor dhe ndër të tjera shkakton vonesa në zhvillim, ka raportuar The Independent.
Farrell, ka folur shpesh publikisht për përvojën e tij si prind i një fëmije me aftësi të kufizuara.
“Është e vështirë, disa prindër thonë: ‘Unë dua të kujdesem vetë për fëmijën tim’, dhe unë e respektoj këtë. Por makthi im është: po sikur të kem një atak kardiak nesër, dhe, mos o Zot, nëse Kim pëson një aksident, çfarë ndodh me James? Ai do të mbetej vetëm”, ka thënë aktori në një intervistë për Candis Magazine.
Ai ka shtuar se në atë rast James do të lihej në duart e kujdesit shtetëror dhe se ata nuk do të kishin më asnjë ndikim në vendimet që do merreshin për të.
Për këtë arsye, ai dhe Bordenave po kërkojnë një vend të përshtatshëm ku James mund të jetojë që tani, ndërkohë që ata janë ende gjallë dhe të shëndetshëm.
“Dëshirojmë të gjejmë një vend ku ai të mund të ketë jetë të plotë dhe të lumtur, ku do të ndihej mirë. Mund ta marrim herë pas here me vete, dhe të jemi të qetë se ai është mirë”, ka thënë ylli.
Në vitin 2024, Farrell ka shpjeguar se kur James mbushi 21 vjeç, ai nuk ishte më i kualifikuar për shërbimet dhe programet mbështetëse që zakonisht janë në dispozicion për fëmijët me nevoja të veçanta.
“Kur fëmija mbush 21 vjeç, ai mbetet disi vetëm. Të gjitha mbrojtjet që ekzistojnë, kurset e posaçme e mbështetjet, zhduken. Dhe mbetesh me një të ri që duhet të jetë pjesë e integruar e shoqërisë sonë moderne, por shumë shpesh mbetet pas”, pati thënë ai për People.
Farrell ka treguar gjithashtu për momentin emocional kur James hodhi hapat e parë.
“Ishte magjike. E dija që po punonin me të për të ecur. Ishte një moment kaq i thellë. Ai hodhi gjashtë hapa drejt meje dhe unë shpërtheva në lot. Nuk do ta harroj kurrë pamjen e vendosmërisë në fytyrën e tij”, ka thënë aktori.
Përveç James, Farrell ka edhe një djalë tjetër, Henry Tadeusz Farrell, 14 vjeç, me aktoren Alicja Bachleda-Curuś.