Showbiz

Clooney dhe Pitt e patën të lehtë bashkëpunimin në filmin “Wolfs”

George Clooney dhe Brad Pitt

George Clooney dhe Brad Pitt

Aktorët, që janë edhe shokë të afërt, George Clooney dhe Brad Pitt, kanë thënë se e kishin të lehtë të bashkëpunonin në filmin e ri ku luajnë të dy “Wolfs”.

“Që nga momenti që shkuam në sheshxhirim ishte thjesht shumë e lehtë të punojmë prapë bashkë”, ka thënë Clooney për revistën People duke shtuar se ishte njëkohësisht shumë qejf.

Clooney dhe Pitt kanë luajtur bashkë në trilogjinë “Oceans” si dhe komedinë e vëllezërve Coen, “Burn After Reading”.

Ylli ka thënë se ai dhe Brad janë paguar “miliona e miliona dollarë më pak se ajo që është raportuar se kemi fituar për rolet në filmin ‘Wolfs’”.

New York Times kishte shkruar se ata janë paguar nga 35 milionë dollarë secili për rolet në filmin komedi-aksion.

“Ishte artikull interesant dhe kushdo të ketë qenë burimi i saj për rrogën tonë, ishte miliona e miliona e miliona dollarë më pak se ajo që është raportuar. Po e them këtë sepse është gjë e keqe për industrinë tonë që njerëzit të mendojnë që ky është standardi i pagave për aktorët. Mendoj se është e tmerrshme, kjo do ta bënte të pamundur për të realizuar një film”, ka thënë Clooney para se të jepej premiera e filmit, në festivalin e filmit në Venecia.
 

Komentet e yllit vijnë pasi gjigandi Apple kishte vendosur të mos i ofrojë filmit “Wolfs” lansim madhështor në SHBA. Në vend të kësaj, ky transmetues kishte vendosur ta shfaqtë në një numër të vogël të ekraneve për një javë para se ta lejonte shikimin e filmit në shërbimin e tyre online më 20 shtator.