Koncerti i ardhshëm i Chris Brown në Afrikën e Jugut ka rikthyer në qendër të vëmendjes nivelet tronditëse të dhunës ndaj grave në vend, teksa aktivistët thonë se ai dërgon mesazhin e gabuar duke pasur parasysh historinë e tij të abuzimit.
Në më pak se dy orë, fituesi i Grammyt arriti të shiste biletat për në stadiumin FNB në Johannesburg - stadiumi më i madh në Afrikë me mbi 94,000 vende. Kërkesa ishte aq e lartë sa u shtua një datë e dytë dhjetori, raporton BBC.
Pavarësisht interesimit masiv, ylli i muzikës R&B ka përjetuar një reagim të ashpër nga njerëzit që nuk donin që ai të performonte për shkak të së kaluarës së tij të dhunshme.
“Kur pashë lajmin se Chris Brown po vinte në Afrikën e Jugut, u trondita dhe u zhgënjeva thellë”, ka thënë Sabina Qalter, drejtore ekzekutive e Grave për Ndryshim, një organizatë që mbron të drejtat e grave dhe fëmijëve në Afrikën e Jugut.
Grupi ka nisur një peticion për të ndaluar artistin amerikan të performojë. Deri më tani ka mbledhur mbi 20,000 nënshkrime.
“Peticioni filloi për të dërguar një mesazh të fortë se ne nuk do të tolerojmë ardhjen e individëve me një histori të dhunës ndaj grave”, është shprehur Walter.
Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të femicidit dhe dhunës me bazë gjinore në botë.
Një përdhunim raportohet në vend afërsisht çdo 12 minuta dhe supozohet se shumë të tjerë mbeten të paregjistruar.
Shembulli më i njohur në historinë e abuzimit të Chris Brown është mosmarrëveshja me ish-të dashurën e tij, këngëtaren Rihanna, në vitin 2009.
Chris Brown, i cili ishte 19 vjeç në atë kohë, u deklarua fajtor për sulm dhe u dënua me pesë vjet lirim me kusht, shërbim në komunitet dhe këshillim për dhunën në familje.
Edhe pse Rihanna e fali atë dhe dyshja u bën bashkë përsëri për pak kohë pas incidentit, Chris Brown është akuzuar gjithashtu për dhunë nga gra dhe burra të tjerë.
“Gratë për Ndryshim” kërkon të dijë se si Departamenti i Punëve të Brendshme mund t'i japë një vizë "një abuzuesi të dënuar".
Për Walter, vendimi është "shqetësues dhe tregues i një dështimi sistemik".
Sipas ligjit të Afrikës së Jugut, të kesh një dënim të mëparshëm për dhunë në familje mund të rezultojë me refuzimin e vizës.
Chris Brownit më parë i është ndaluar hyrja në vende të tjera, duke përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re.