Aktori Channing Tatum dhe modelja australiane Inka Williams u fotografuan afër njëri-tjetrit gjatë një darke romantike në Los Angeles, ka shkruar Page Six.
Ylli i filmit “21 Jump Street”, 44 vjeç, dhe modelja 25-vjeçare kanë shijuar një darkë me miqtë dhe qentë e tyre në restorantin Chez Jay të shtunën.

Çifti ka konfirmuar lidhjen në fund të muajit shkurt, gjatë festës para ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Oscar”, katër muaj pas ndarjes së Tatumit nga ish-e fejuara e tij, aktorja Zoë Kravitz.

Edhe Kravitz ishte e pranishme në të njëjtën festë, por nuk dihet nëse u takua me ish-partnerin dhe të dashurën e tij të re.

Pas festës, një burim për People ka deklaruar se Tatum ishte “duke kaluar mirë” në marrëdhënien e tij të re.
“Ajo e bën të lumtur. Ajo ka jetën e saj. Është e re, por duket më e pjekur”, ka thënë burimi, duke shtuar se çifti u njoh përmes miqve të përbashkët dhe se diferenca prej gati 20 vjetësh në moshë nuk është problem për ta.

Tatum dhe Kravitz do të ribashkohen këtë pranverë për një projekt të ri filmik pas bashkëpunimit të tyre në filmin “Blink Twice”. Sipas burimit, “nuk pritet të ketë ndonjë siklet mes tyre, pasi ndarja ishte në kushte të mira”.

Çifti Tatum dhe Kravitz, të cilët filluan lidhjen në vitin 2021, i kanë dhënë fund fejesës së tyre në muajin tetor të vitit 2024. Ndërkohë, Kravitz, 36 vjeçe, është përfolur për një lidhje të mundshme me aktorin Noah Centineo, 28 vjeç, pasi janë parë disa herë bashkë që nga muaji shkurt.