Showbiz

Cassie Ventura do të dëshmojë me emrin e saj në gjyqin kundër P.Diddyt

Cassie Ventura dhe P.Diddy

Cassie Ventura dhe P.Diddy

Foto: Associated Press

Në zhvillimin e ri dramatik në procesin gjyqësor kundër reperit të njohur Sean “Diddy” Combs, ish e dashura e tij, këngëtarja dhe modelja Cassie Ventura, ka konfirmuar se do të dëshmojë publikisht dhe me emrin e saj të plotë.

37-vjeçarja është një nga katër gratë që pritet të dëshmojnë kundër Combsit kur gjyqi të nisë më 5 maj në New York. Fillimisht, në dokumentet e gjykatës ajo përmendej si “Viktima 1”, por prokurorët federalë konfirmuan në një paraqitje të re ligjore se Cassie ka zgjedhur të mos qëndrojë më anonime, ka raportuar The Hollywood Reporter.

“(Cassie) është e përgatitur të dëshmojë me emrin e saj të vërtetë. Viktima 2, Viktima 3 dhe Viktima 4 kanë kërkuar që identiteti i tyre të mos bëhet publik”, thuhet në dokumentin e prokurorisë.

Prokurorët kanë shtuar se kjo çështje ka marrë “vëmendje të jashtëzakonshme mediatike” dhe se mbrojtja e anonimitetit të viktimave të tjera është e domosdoshme për t’i mbrojtur nga “presioni i mediave dhe publikut, diskreditimi i padrejtë dhe pasojat e tjera të rënda”.

Combs, 55 vjeç, përballet me pesë akuza federale, mes të cilave trafikim seksual me forcë, mashtrim apo shtrëngim, si dhe rekrutimin dhe transportimin e personave për prostitucion. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat dhe aktualisht ndodhet në paraburgim në në Brooklyn, pa të drejtë lirimi me kusht.

Cassie ka qenë në një marrëdhënie me Combsin nga viti 2007 deri më 2018. Në nëntor të vitit 2023, ajo e paditi duke e akuzuar për abuzim të vazhdueshëm fizik, psikologjik dhe seksual. Rasti u mbyll me një marrëveshje një ditë më vonë, por ky hap e hapi rrugën për dhjetëra akuza të tjera ndaj Combsit, përfshirë edhe pretendime për përdhunim nga gra dhe burra.

Pak javë pas padisë, FBI-ja bastisi tre nga pronat e Combsit dhe ai u arrestua më 16 shtator.

Një tjetër provë e rëndësishme që e rëndon pozicionin e tij është një video sigurie e publikuar nga mediumi CNN në muajin maj të vitit të kaluar, në të cilën shihet Combs duke e goditur dhe zvarritur Cassien në hollin e një hoteli në Los Angeles.

Në një reagim, ekipi ligjor i reperit akuzoi CNN-in se e kishte manipuluar videon, duke ndryshuar renditjen dhe shpejtësinë e saj, si dhe duke hequr datën dhe orën.

Në të njëjtën kohë, një aktakuzë e përditësuar është dorëzuar nga prokurorët federalë, duke shtuar akuza të reja për trafikim seksual ndaj një tjetër viktime.

“Combs e ka rekrutuar, joshur, strehuar, transportuar, ofruar, reklamuar dhe shfrytëzuar Viktimën 2 për akte seksuale tregtare, duke përdorur forcë, mashtrim dhe shtrëngim. Ai e ndihmoi dhe e nxiti këtë veprim dhe e bëri me vetëdije, duke pasur parasysh që ajo po shfrytëzohej në mënyrë të dhunshme dhe të detyruar”, thuhet në dokument.

Avokatët e Combsit mohojnë gjithçka dhe thonë se të gjitha akuzat vijnë nga ish-partnere të tij.

“Këto nuk janë akuza të reja apo viktima të reja. Bëhet fjalë për marrëdhënie të gjata dashurie, të cilat kanë qenë të pranueshme dhe jo të dhunshme. Kjo ka qenë jeta e tyre private seksuale, e ndërtuar mbi pëlqim, jo mbi shtrëngim”, kanë deklaruar ata për The Hollywood Reporter.