Këngëtarja me famë botërore, Cassie, e cila ishte në lidhje me reperin, P.Diddy, për 10 vjet, ka folur për herë të parë pas publikimit të videos nga CCTV, ku reperi shihet duke e sulmuar fizikisht këngëtaren.
Ajo të enjten ka bërë një postim, përmes të cilit falënderon të gjithë personat që e mbështetën, pasi ajo, gjatë dhjetorit të vitit 2023, paditi P.Diddyn, emri i vërtetë i të cilit është Sean Diddy Combs, për dhunë, trafikim me qenie njerëzore, drogim e dhunim, padi kjo që u zgjidh nën instanca private në mes të saj dhe reperit, menjëherë të nesërmen.
“Faleminderit për të gjithë mbështetjen dhe dashurinë, që nga familja ime, shokët, të panjohurit dhe ata që do të më duhet t’i takoj. Kjo dashuri që më ofruat ka krijuar një vend ku mund të mbështetem dhe të ndihet e sigurt, por ky është vetëm fillimi. Dhuna në familje është PROBLEMI aktual. Më ka thyer e më ka ulur në nivelin e dikujt që asnjëherë s’kam menduar që do të bëhem. Me shumë punë e përkushtim tani jam më mirë, por gjithnjë do të jem duke u shëruar nga e kaluara”, ka shkruar Cassie.
Ajo i ka falënderuar tw gjithë ata qw sipas saj, “patën kohë të merren seriozisht me këtë çështje”.
“Dua të kërkoj që t’u besohet viktimave që në herën e parë që tregojnë diçka. Duhet shumë guxim e kurajë për të treguar të vërtetën e një situate në të cilën ndihesh e pafuqishme. Ofroj mbështetjen time për ata që ende jetojnë në frikë. Flisni me njerëzit e afërt. Askush nuk duhet ta mbajë këtë peshë mbi supe i vetëm. Udhëtimi i shërimit nuk përfundon kurrë, por kjo mbështetje do të thotë shumë për mua. Faleminderit. Dashuri përgjithmonë, Cassie”, ka shkruar këngëtarja në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social Instagram.
CCTV, ka publikuar pamjet e vitit 2003, të dhunës që ushtronte P.Diddy mbi Cassien, brenda një hoteli ku po qëndronin.
Pas publikimit të videos, vet reperi, publikoi një video me kërkim falje publike, në llogarinë zyrtare të tij në rrjetin social Instagram.
Pas padisë së Cassiet, P.Diddy u vërshua nga një sërë padish të njëpasnjëshme për dhunë, trafikim me qenie njerëzore, dhunë seksuale e drogim, akuza të cilat P.Diddy i ka mohuar.
Cassie është e martuar me ish-trajnerin personal të P.Diddyt, Alex Fine, me të cilin ka dy vajza.
Lexo edhe:
Del një video ku shihet P. Diddy duke e rrahur ish-të dashurën - KOHA.net
P.Diddy paditet për herë të shtatë brenda gjashtë muajsh - KOHA.net