Showbiz

Carrie Underwood beson se djali i saj mund të bëhet ylli i ardhshëm i muzikës

Carrie Underwood

Carrie Underwood

Foto: Associated Press

Këngëtarja Carrie Underwood ka zbuluar se të dy djemtë e saj kanë talent muzikor, por sipas saj djali i madh, Isaiah, ka më shumë potencial për t'i ndjekur hapat në botën e muzikës.

Këngëtarja 41-vjeçare e muzikës country, e cila u bë e famshme pasi fitoi sezonin e katërt të “American Idol” në vitin 2005, ka thënë se beson se Isaiah, 10 vjeç, dhe vëllai i tij më i vogël, Jacob, 5 vjeç, kanë talent për muzikën. Sipas saj djali i vogli ka më shumë gjasa t'i ndjekë hapat e babait të tij, sportistit Mike Fisher.

“Mendoj se djali ynë më i madh, Isaiah, ka shanset më të mëdha për të ndjekur këtë rrugë. Jake pëlqen hokejin, kështu që ndoshta do të kemi pak nga të dyja – sepse burri im është një ish-lojtar i NHL-së”, ka thënë Underwood gjatë një interviste në emisionin “Live with Kelly and Mark”, ka raportuar FemaleFirst.

Ylli ka pranuar se nëse ndonjëri nga djemtë e saj dëshiron të ndjekë një karrierë në muzikë, do të duhet të përgatitet për t'i përballuar kritikat dhe opinionet e shumta.

Duke kujtuar audicionin e saj në “American Idol”, ajo ka treguar për momentin kur anëtari i jurisë, Simon Cowell, e ndaloi përpara se të arrinte në refrenin e këngës “I Can’t Make You Love Me”, sepse ai tashmë ishte i impresionuar.

“Nuk e di si do të përballeshin ata me dikë si Simon. Nuk e di as si e përballova unë vetë! Ai ishte i sjellshëm me mua, por padyshim që pati momente kur mora komente negative. Por, ky është realiteti. Në industrinë e argëtimit, të gjithë kanë një opinion dhe gjithçka është e qasshme.
Duhet të forcohesh emocionalisht”, ka thënë tutje Underwood.

Ajo është rikthyer në “American Idol” si anëtare e jurisë, duke ndarë këtë rol me artistë si Luke Bryan dhe Lionel Richie. Ylli ka thënë se shpreson që përvoja e saj si ish-konkurrente ta ndihmojë në këtë rol të ri, por pranon se industria muzikore ka ndryshuar shumë në dy dekadat e fundit.

“Shpresoj që kjo të më ndihmojë të jap këshilla më të mira, sepse kam qenë aty ku janë ata.
Por, gjithashtu, ka ndryshuar shumë. Ishte 20 vjet më parë dhe shumë gjëra janë ndryshe tani”, ka theksuar ajo.