Modelja dhe aktorja Cara Delevingne ka marrë përsipër rolin e ikonës së muzikës, Elton John, në një videoklip të ri për këngën e tij “Step Into Christmas”.
Vodeoklipi:
Në ripërpunimin e videoklipit origjinal të këngës së vitit 1973, Delevingne ka vënë syze të mëdha dhe ka veshur jelek shumëngjyrësh, duke u dukur thuajse identike me legjendën e muzikës, ka shkruar BBC.
Delevingne e ka cilësuar këtë eksperiencë si “ëndërr që nuk e dija se e kisha deri sa ndodhi”.
“Do të doja të pretendoja të isha Eltoni çdo ditë”, ka thënë ajo.
Videoja nis me Delevingne, të veshur si Elton, duke u thënë producentëve që do të luante rolin e Sir Eltonit.
Ajo kalon ndërmjet skenave që ngjasojnë shumë me videon origjinale, duke kënduar këngën ikonike të Krishtlindjeve, duke interpretuar edhe me piano, duke imituar lëvizjet e Johnit.

John ka thënë se e pa Delevingne në festivalin e “Glastonbury-t” gjatë verës dhe se ata diskutuan se do të ishte fantastike të punonin bashkë nëse do të dilte një ide e mirë.
“Ajo është shumë e qeshur, ne të dy kemi sens humori dhe ironizojmë me vetveten”, ka thënë John.
Kur lindi ideja që Delevingne të luante rolin e tij për këtë videoklip, këngëtari tha se ishte “rast ideal”.
“Faleminderit që Cara e mendoi poashtu, sepse doli shumë mirë”, ka shtuar ai.
Delevingne, 32 vjeçe, ka thënë se Elton ka qenë gjithmonë një idhull për të.
“Të thuash se muzika e tij ka pasur ndikim të thellë tek unë është një nënvlerësim”, ka thënë ajo. “Shpresoj që një ditë Elton ta kthejë këtë nder dhe të luajë rolin tim në një biografi që ende nuk është shkruar, zhvilluar, propozuar apo financuar. Shpresoj”, ka shtuar ajo me humor.
Kënga “Step Into Christmas” u rendit në vendin e 24-të në toplistën e 40 më të mirëve në Britani kur u publikua në muajin nëntor të vitit 1973 dhe e dyta në toplistën e këngëve të Krishtlindjeve në SHBA.
Aktualisht, kënga është në vendin e 15-të në tabelën britanike.

Muajin e kaluar, Elton John ka treguar se ka pasur vështirësi në përfundimin e albumit të tij të ri për shkak të problemeve me shikimin.
Ai në një intervistë për “Good Morning America” ka thënë se ka humbur shikimin në syrin e tij të djathtë për shkak të një infeksioni dhe se syri i tij i majtë “nuk është shumë mire”.
Megjithatë, John ka shtuar se ai do të vazhdojë të krijojë muzikë.