Showbiz

Camila Cabello, Celine Dion, Jennifer Lopez e Halle Berry në spektaklin e Elie Saab në Arabinë Saudite

Camila Cabello, Celina Dion, Ellie Saab, Jennifer Lopez dhe Halle Berry

Camila Cabello, Celina Dion, Ellie Saab, Jennifer Lopez dhe Halle Berry

Në Riad të Arabisë Saudite, disenjatori i njohur libanez, Elie Saab, organizoi një shfaqje spektakolare mode për ta festuar 45-vjetorin e karrierës së tij. 

Ngjarja e mbajtur në “The Venue” gjatë festivalit të përvitshëm dimëror të “Riyadh Season”, solli koleksionin “1001 Seasons of Elie Saab”, koleksion me përmbajtje prej 300 fustanesh, ka shkruar “Vogue Arabia”.
 

Koleksioni i “Riyadh Season Collection Fall 2025” ishte krijuar ekskluzivisht për këtë ngjarje dhe ishte i frymëzuar nga tregimet klasike arabe të “Njëmijë e një netëve”, të cilat u risollën përmes vizionit të veçantë të Saab. Koleksioni ishte i stiluar nga Carine Roitfeld, themeluesja dhe redaktorja kryesore e CR Fashion Book dhe ish-redaktorja e prestigjiozes “Vogue France”.

Me një premtim për të bashkuar modën dhe argëtimin, ngjarja “1001 Seasons of Elie Saab” solli në skenë emra të njohur si aktoren e këngëtaren Jennifer Lopez, këngëtaren Celine Dion, yjet si Nancy Ajram e Amr Diab, si dhe Camila Cabello, të cilat ofruan performanca të paharrueshme. Ndërkohë kasti i  supermodeleve, përfshirë Isabeli Fontana, Candice Swanepoel, Adriana Lima, Sara Sampaio, dhe shumë të tjera, ecën në pasarelë.

Shfaqja filloi me një moment që “Vogue” e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm, kur Halle Berry mori vëmendjen e të gjithëve me fustanin ikonik të disajnuar nga Saab, të cilin e kishte veshur në ceremoninë e ndarjes se Çmimeve “Oscar” në vitin 2002.
 


Ajo ka zbuluar se ky ishte takimi i parë me Saab pas 22 vjetësh, që nga momenti kur e veshur me krijimin e tij, ajo shkëlqeu në tapetin e kuq të “Oscars”.

Pas Halle Berryt shfaqja kaloi në ritme muzikore të ndezura nga Jennifer Lopez, e cila zbriti nga lart në një kostum të mbushur me pendë dhe perla, po ashtu i disajnuar nga Saab.

Modelet që ecën në pasarelë përputheshin me performancën e Lopezit, të veshura me kostume të inspiruara nga vitet ’20, me detaje të shumta.

Camila Cabello u shfaq më pas në një fustan rozë me shkëlqim, ndërsa kishte mbathur çizme të mbushura me lule dhe kristale, që dominuan skenën.


Performancat e Nancy Ajram dhe Amr Diab sollën ritme të dashura të muzikës arabe, ndërsa përfundimi i shfaqjes ishte i jashtëzakonshëm  me shfaqjen që bëri Celine Dion me hyrje madhështore në skenë.


Kjo ishte hera e tretë që ajo u shfaq në publik, dhe e dyta që nga rikthimi i saj në skenë pas Olimpiadës së Parisit 2024. Performanca e Dionit emocionoi të pranishmit pasi u solli lot në sy shumë shikuesve.

Ndër të ftuarit më të shquar në rreshtin e parë ishin emra të njohur të rajonit si: Nadine Nassib Njeim, Fatima AlBanawi, Razanne Jammal, Elissa, Maritta Hallani, dhe Rym Saidi. 

Në tapetin e kuq shumë yje flisnin me Vogue Arabia duke treguar dashurinë që kanë për Saab, krijimet e tij dhe kujtimet më të dashura që kanë me këtë markë.

Roli i Elie Saab në ngritjen e modës arabe në skenën ndërkombëtare është një nga historitë më të bukura të industrisë së modës.

Siç u pa në këtë ngjarje, kreativiteti, kultura arabe dhe fuqia e yjeve janë shtyllat kryesore të suksesit të tij 45-vjeçar, i cili ka lënë gjurmë me emrin e tij si një nga markat më të dashura dhe të njohura në botën e modës.