Showbiz

Bruce Willis shfaqet për herë të parë në publik që pas diagnostikimit me sëmundje

Bruce Willis

Aktori i njohur Bruce Willis ka bërë paraqitjen e tij të parë publike që nga diagnoza me demencë frontotemporale, për të falënderuar ekipet e shpëtimit që po luftojnë me zjarret në Los Angeles.

Në një postim në Instagram të shpërndarë nga gruaja e tij, Emma Heming Willis. Willis shfaqet duke shtrënguar dorën me një oficer të policisë së Los Angelesit dhe duke pozuar për një fotografi. Heming Willis e ka vendosur videon bardhë e zi të shoqëruar me këngën “Going to California” nga Led Zeppelin, raporton “The Hollywood Reporter”.

“Ai nuk e humbi mundësinë për të shprehur mirënjohjen e tij me një dorështrëngim të sinqertë dhe një ‘faleminderit për shërbimin tuaj’. E djeshmja nuk ishte diçka më ndryshe”, ka shkruar Hemming Willis në postim.

Kjo video duket të jetë hera e parë që Willis është parë në publik që nga viti 2022, kur familja e tij njoftoi se aktori kishte marrë një diagnozë fillestare të çrregullimit të komunikimit, afazisë, dhe se do të largohej nga aktrimi. 

Në vitin 2023, familja e Willis bëri të ditur se ai ishte diagnostikuar me demencë frontotemporale (FTD).

Shoqata për Alzheimer thotë se FTD shkaktohet nga disa çrregullime që dëmtojnë gradualisht lobet frontale dhe temporale të trurit. Këto dëme shkaktojnë ndryshime në mendim dhe sjellje. Simptomat mund të përfshijnë sjellje të pazakonta, probleme emocionale, vështirësi në komunikim, sfida në punë dhe vështirësi në ecje. Sëmundja është e pashërueshme.

Që nga diagnostikimi i burrit të saj, Heming Willis ka qenë si kujdestare e aktorit.

“Ndërsa kjo është e dhimbshme, është një lehtësim të kemi një diagnozë të qartë. FTD është një sëmundje e ashpër që shumë prej nesh nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë dhe mund të godasë këdo. Sot nuk ka trajtime për këtë sëmundje, një realitet që shpresojmë të ndryshojë në vitet në vazhdim. Ndërsa gjendja e Bruce përparon, shpresojmë që çdo vëmendje mediatike të fokusohet në ndriçimin e kësaj sëmundjeje që ka nevojë për shumë më tepër vëmendje dhe kërkime”, thuhej në një deklaratë të lëshuar nga familja e Willis në atë kohë. 

Gjatë një interviste në “NBC’s Today Show” në vitin 2023, Heming Willis pranoi se ishte “e vështirë të dihej” nëse aktori e kuptonte diagnozën e tij.

“Është e vështirë për personin e diagnostikuar, është gjithashtu e vështirë për familjen. Dhe kjo nuk është ndryshe për Bruce, për mua, apo për vajzat tona. Kur thonë se kjo është një sëmundje që prek tërë familjen, në të vërtetë është e tillë,” pati thënë ajo në atë kohë.