Aktori i famshëm i filmit “Die Hard”, Bruce Willis, ka mbushur 70 vjet të mërkurën (19 mars 2025) dhe sipas vajzës së tij, Rumer Willis, ai po e feston këtë ditëlindje në humor të mirë, pavarësisht betejës me demencë frontotemporale (FTD), një sëmundje që ndikon në sjellje dhe komunikim.
Në një postim në Instagram, Rumer u pyet se si po ndihet i ati.

“Ai po ia kalon shumë mirë, faleminderit që pyetët. Nesër është 70-vjetori i tij, prandaj ju lutem dërgojini një urim të madh për ditëlindje!” - ka thënë Rumer, ka raportuar FemaleFirst.
Muajin e kaluar, aktorja e projektit filmik “House Bunny”, ka konfirmuar në emisionin britanik “Loose Women” se Willis po mbështetet shumë nga familja e tij në këtë sfidë.
“Ne jemi një familje shumë e bashkuar dhe gjithmonë mbështesim njëri-tjetrin. Kjo është gjëja më e bukur, sepse funksionojmë si një njësi e vërtetë”, ka thënë 36-vjeçarja.
Nga ana tjetër, gruaja e tij, Emma Heming Willis, ka zbuluar se simptomat e para të sëmundjes së Willisit u injoruan nga mjekët, pasi u ngatërruan me problemet e tij të vjetra me belbëzimin.
“Ai ka pasur gjithmonë një tendencë për belbëzim, por e ka fshehur mirë. Askush nuk e mendoi se mund të ishte një formë e demencës për dikë kaq të ri”, ka thënë Heming Willis.