Reperi i njohur amerikan, Bow Wow, është akuzuar nga ndjekësit në platformën “X”, pasi ai në një podcast ka thënë se reperi P. Diddy, i cili është arrestuar pas një mori padish për krime seksuale “ishte i rëndësishëm për kulturën”.
Pas arrestimit të reperit, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, disa persona të famshëm kanë komentuar mbi situatën, përfshirë Bow Wowin, shkruan Yahoo.

Ai së fundi ka përshkruar eksperiencën e tij që kishte në raport me Combsin duke thënë se “kur Diddy ishte këndej pari, gjithmonë kishte ndeja të mira pas çdo ngjarjeje”.
“Ai ishte shumë i rëndësishëm për kulturën”, ka thënë Bow Wow për themeluesin e shtëpisë diskografike “Bad Boy Records”, në podcastin “More to The Story” me Rocsi Diaz.

Adhuruesit dhe ndjekësit e krijuesit të hitit “Like You”, e quajtën injorant duke i thënë se deklaratat ishin të trupshme.
“Bow Wow definitivisht është një ndër ata njerëz që nuk është pjekur që nga koha kur është bërë i famshëm”, ka shkruar një përdorues i “X”.
Combs aktualisht po përballet me akuza për krime seksuale, për të cilat pritet të gjykohet në muajin maj të vitit të ardhshëm.
Ai është burgosur muajin e kaluar, ndërkohë që mbrojtja në liri i është mohuar 3 herë, përfshirë dorëzaninë prej 50 milionë dollarësh.