Aktorja e famshme hollivudiane, Blake Lively ka paraqitur një ankesë kundër aktorit dhe regjisorit të filmit “It Ends With Us”, Justin Baldoni, me pretendimin për ngacmim seksual dhe përpjekje të koordinuar për të dëmtuar reputacionin e saj.
Sipas ankesës së Lively, gjërat u përkeqësuan aq shumë gjatë prodhimit të filmit, i cili u shfaq në gusht të këtij viti, teksa ishte mbajtur një takim për të adresuar pretendimet e saj për një mjedis pune armiqësor, ku kishte marrë pjesë edhe bashkëshorti, Ryan Reynolds, raporton The Guardian.
Si pjesë e takimit të tensionuar, Lively dhe Reynolds kishin kërkuar që "të mos kishte më shfaqje të videove nudo ose imazhe të grave për Lively, të mos përmendej më ‘varësia e mëparshme ndaj pornografisë’ e Baldonit dhe të mos kishte më diskutime rreth pushtimeve seksuale përpara Lively”.
Ata kishin përcaktuar më tej se Baldoni "nuk duhet të bënte më hetime për peshën e Lively" dhe "të mos përmendte më tej babain e saj të vdekur".
Ankesa thotë gjithashtu se Lively kishte kërkuar gjatë xhirimeve që asaj nuk do t'i kërkohej më të shtonte skena seksi, përtej asaj që ajo kishte miratuar kur kishte nënshkruar projektin.
Ajo pretendon në ankesë se kërkesat u miratuan nga studioja, por Baldoni dhe kompania e prodhimit, “Wayfarer Studios”, më vonë ndoqën një fushatë "manipulimi social" për të "shkatërruar" reputacionin e saj.
Ankesa, për të cilën “New York Times” raportoi se ishte paraqitur në departamentin e të drejtave civile të Kalifornisë të premten, i paraprin një padie.
Në një deklaratë për "Times", Lively, karriera filmike e së cilës u ngrit pasi ajo u bë e njohur në serialin dramatik për adoleshencë "Gossip Girl", ka deklaruar se shpresonte që veprimi i saj ligjor të ndihmojë në tërheqjen e perdes ndaj këtyre taktikave të liga hakmarrëse për të dëmtuar njerëzit që flasin dhe ata që mund të bëhen shënjestër e këtyre gjërave në të ardhmen.
Ndërkohë një avokat i Baldonit, në një deklaratë për “Hollywood Reporter”, i ka quajtur të turpshme pretendimet e Lively.
“Është e turpshme që zonja Lively dhe përfaqësuesit e saj do të bënin akuza kaq serioze dhe kategorikisht të rreme”, është shprehur Bryan Freedman, avokat i Baldonit.