Biznesmeni i njohur amerikan, Bill Gates ka reflektuar thellësisht për divorcin nga Melinda French-Gates, duke e quajtur atë “gabimin më të madh për të cilin është penduar”.
Në një intervistë për The Times of London, Gates ka pranuar se periudha pas ndarjes ishte shumë e vështirë për të dhe Frenchin, duke shtuar se divorci ishte një proces “i mjerë” për të dy dhe që ka zgjatur të paktën dy vjet.
Gates, që kishte shpresuar që martesa e tij me Melindën do të ishte po aq e suksesshme sa ajo e prindërve të tij, Bill Sr. dhe Mary, të cilët ishin të martuar për 45 vjet, ka thënë se një marrëdhënie afatgjatë ka një “mrekulli të caktuar”, për shkak të kujtimeve dhe thellësisë së përvojave që krijohen, si dhe rritja e fëmijëve së bashku.
Në lidhje me divorcin, Gates ka thënë se do ta rendiste këtë si një dështim të madh në jetën e tij.
“Ka edhe dështime të tjera, por asnjë që ka kaq shumë rëndësi”, ka theksuar ai.
Gates dhe Melinda u takuan në vitin 1987 gjatë një ceremonie të shitjeve të Microsoft-it, kur Melinda ishte menaxhere produktesh dhe Bill ishte shef ekzekutiv (CEO) i kompanisë.
Ata u martuan më 1 janar të vitit 1994 dhe kanë tre fëmijë: Jennifer, 28 vjeç, Rory, 25 vjeç, dhe Phoebe, 22 vjeç.
Gates ka thënë se në momentin kur u takuan, ai ishte i suksesshëm, por jo “jashtëzakonisht i suksesshëm”, duke shtuar se ajo ka qenë pjesë e rritjes së tij profesionale gjatë viteve që kaluan së bashku.
Në vitin 2021, çifti njoftoi për divorcin pas një ndarjeje të fshehtë një vit më parë, duke thënë se ata nuk mund të “rriteshin më si çift në këtë fazë të jetës”.
Gates ka shprehur zhgënjim se French vendosi të largohej nga fondacioni që ata patën krijuar për të luftuar varfërinë dhe sëmundjet, i njohur tani si “The Gates Foundation”.
Në lidhje me ndikimin e pabesisë në ndarjen e tyre, Gates e pati pranuar se ka shkaktuar dhimbje për familjen e tij, por nuk ka dhënë shumë detaje.
Ndërkohë, French ka aluduar se marrëdhënia e tij me Jeffrey Epstein mund të ketë ndikuar në ndarjen e tyre, duke e quajtur Epsteinin “të urryer dhe të keqen e personifikuar”.
Gates, i cili kishte pasuri prej 130 miliardë dollarësh kur French nisi procedurat e divorci, ka thënë se nuk kishin marrëveshje paramartesore, por kishin një “marrëveshje ndarjeje” që përcaktonte kushtet e ndarjes.
Pas divorcit, Gates ka nisur një marrëdhënie me Paula Hurd, një ish-ekzekutive të teknologjisë, ndërsa French ka dalë publikisht me të dashurin e saj, Philip Vaughn, në muajin tetor të vitit 2024.
Megjithatë, Gates ka thënë se ai dhe French vazhdojnë të shohin njëri-tjetrin për shkak të fëmijëve dhe nipërve, dhe se ata janë duke u kujdesur për vlerat e familjes së tyre.