Showbiz

Beyonce në histori si artistja më e nominuar për çmimet “Grammy”

Beyonce

Foto: Associated Press

Këngëtarja amerikane Beyonce ka shkruar historinë duke u bërë artistja me më së shumti nominime e të gjitha kohërave për çmimet prestigjioze “Grammy”, duke tejkaluar bashkëshortin e saj, reperin Jay-Z.

Çifti printe duke ndarë nga 88 nominime secili – por Beyonce tash ka kaluar përpara falë albumit të fundit “Cowboy Carter”.

Ajo udhëheq listën e sivjetme me 11 nominime, përfshirë atë për Albumin më të mirë, Albumin më të mirë në zhanrin ‘country’ dhe këngën më të mirë për “Texas Hold ’Em”.

Këngëtarët tjerë me nga shtatë nominime janë Billie Eilish, Kendrick Lamar, Post Malone dhe Charli XCX.

“Beatles” po ashtu kanë marrë nominim për incizimin e vitit për projektin “Now And Then”, këngë e papërfunduar e John Lennonit, e që u finalizua falë ndihmës së inteligjencës artificiale sivjet.

Beyonce veçse është artistja me më së shumti çmime të fituara në histori të “Grammyve”, që konsiderohen më prestigjiozët në industrinë e muzikës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Beyonce ka fituar 32 çmime si solo artiste dhe tre të tjerë me grupin “Destiny’s Child”.

Gjithsesi ajo nuk e ka fituar kurrë çmimin për Albumin e vitit.