Këngëtarja me famë botërore, Beyonce, ka vlerësuar lartë punën e gjimnastes, Simone Biles, e cila ka fituar medaljen e saj të tretë, për më pak se një javë gjatë lojërave Olimpike në Paris.
VIDEO:
“Le të flasim për fuqinë, sepse në të vërtetë për fuqinë bëhet fjalë. Fuqia fizike është e bukur, është e mrekullueshme. Pastaj ajo që ka vërtetë rëndësi është fuqia shpirtërore, ajo që nuk e sheh, vetëm e ndien”, ka shpjeguar Beyonce në një video të transmetuar në NBC.
Ajo ka thënë tutje se vetëm pak njerëz e dinë si është të ngjitesh majat e suksesit e të qëndrosh aty e të bëhesh çdo ditë e edhe më e mirë.
“Simone Biles më inspiron mua dhe jam e sigurt që ju inspiron edhe juve gjithashtu. Kaq shumë besim në forcën e saj, kaq bukuri në fuqinë e saj, mësim kaq i madh nga historia e saj. Shkëlqimi nuk vjen lehtë”, ka thënë ndër të tjera ylli.
Beyonce ka treguar mbështetjen për ekipin e SHBA-së para fillimit të lojërave Olpimpike.
Ajo ka vlerësuar shumë atletë amerikanë përmes videos që u transmetua në NBC, si dhe përmes një videoja që e ka postuar në llogarinë e saj në rrjetin social Instagram.
Në videon ku shihet e veshur me ngjyrat e flamurit amerikan, në stilin “country” ajo fton adhuruesit e saj të shikojnë të rinjt sportistë amerikanë duke iu referuar si “shpresë e ëndrra”
“Shikoni Amerikën të gjithë, këto shpresa e ëndrra, këta superyje që na përfaqësojnë. Njerëzit e këtij vendi të madh, të guximshëm, të bukur e të komplikuar. Të gjithë duke bërë tifo bashkë për ta”, thotë në video Beyonce, e cila ka thënë se atletet Noa Lyles e Sha’Charri Richardson, janë më të shpejtit në planet.
Tutje në video ajo përmend edhe Caeleb Dressel e Katie Ledecky e pastaj thotë se e di që të gjithë e njohin Simonen, “e lindur për të fluturuar, e destinuar për të inspiruar”.