Showbiz

Beyoncé me “Cowboy Carter” fiton çmimin “Albumi i Vitit” në Grammy 2025

Beyonce "Cowboy Carter"

Foto: Associated Press

Këngëtarja Beyoncé ka fituar çmimin “Albumi i Vitit” në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy Awards” 2025 me albumin e saj “Cowboy Carter”

Agjencia e lajmeve Associated Press ka shkruar se kjo është arritja më e madhe në karrierën e saj, pasi ka qenë e nominuar për këtë çmim katër herë të tjera, por s'e ka fituar. Tashmë, ajo është artistja më e shpërblyer dhe më e nominuar në historinë e “Grammy-ve”.

Me këtë fitore, Beyoncé bëhet gruaja e parë me ngjyrë që merr këtë çmim në shekullin 21. Çmimi i mëparshëm për një grua me ngjyrë ishte fituar nga Lauryn Hill, 26 vjet më parë, me albumin “The Miseducation of Lauryn Hill”. Beyoncé është gjithashtu gruaja e katërt me ngjyrë që fiton këtë çmim në histori.

“Ka qenë shumë, shumë vjet. Dua t’ia dedikoj këtë çmim zonjës Martell”, ka thënë Beyonce gjatë fjalimit duke iu referuar Linda Martell, këngëtares që u bë gruaja e parë me ngjyrë që ka kënduar në “Grand Ole Opry”.

Kendrick Lamar 

Kendrick Lamar fiton çmimet e mëdha

Kendrick Lamar ka fituar gjithsej pesë çmime “Grammy”, në kategoritë: “Incizimi i Vitit”, “Kënga më e mirë Rap”, “Kënga e Vitit”, “Performanca më e mirë Rap” dhe “Videoklipi më i mirë”.

Të gjitha çmimet ishin për këngën e tij “Not Like Us” e cila është “diss” kundër reperit Drake, përfshirë dy çmimet më të rëndësishmet e natës “Incizimi i Vitit” dhe “Kënga e Vitit”.

“Do ta dedikoj këtë çmim për qytetin”, ka thënë ai gjatë fjalimit, pasi pranoi njërin nga çmimet, duke përmendur lagjet e Los Angelesit.

The Weeknd

Chappell Roan dhe The Weeknd bëjnë surpriza

Chappell Roan u shpall “Artistja e Re e Vitit” dhe në fjalimin e saj, ajo kërkoi nga industria e muzikës t'i trajtojë artistët si “punonjës të vlefshëm”, duke u fokusuar në sigurimin e pagave të drejta dhe mundësive shëndetësore për ta.

The Weeknd, i cili kishte pasur kritika për “Grammyt” në të kaluarën, u rikthye në skenë me një performancë surprizë. Ai ka kënduar këngët e tij të reja “Cry For Me” dhe “Timeless” bashkë me Playboi Carti, duke treguar një ndryshim në marrëdhënien e tij me udhëheqësinë e spektaklit.

Sabrina Carpenter gjatë performancës së saj

Momente të papritura dhe mesazhe të fuqishme

“Grammyt” e këtij viti u shoqëruan me një reflektim të thellë për Los Angelesin, pasi qyteti po përballet me pasojat e zjarreve që i kanë shkaktuar shumë dëme. Mbrëmja nisi me një performancë të fuqishme të këngës “I Love L.A.” nga Dawes, e mbështetur nga artistë të njohur John Legend, Sheryl Crow dhe Brittany Howard.

Shakira

Në një moment tjetër emocionues, këngëtarja latine, Shakira ka thënë: “Dua t’ia dedikoj këtë çmim të gjithë vëllezërve dhe motrave të miqve të mi emigrantë në këtë vend”, pasi mori çmimin për “Albumin më të mirë Latin Pop” me “Las Mujeres Ya No Lloran”.

Lady Gaga dhe Bruno Mars

Lady Gaga ndërkohë tha se “njerëzit trans nuk janë të padukshëm... Komuniteti ‘queer’ meriton të ngrihet lart”. Ajo foli për rëndësinë e mbështetjes dhe përfshirjes të grupeve të margjinalizuara.

Një natë plot surpriza dhe reflektim

Associated Press ka shkruar gjithashtu se në fund të natës, mbrëmja e “Grammyve” ka treguar se muzika ka fuqi të jashtëzakonshme për të mbështetur dhe ndihmuar ata që kanë nevojë, si dhe për të dhënë një mesazh të fuqishëm për diversitetin dhe barazinë. 

Alicia Keys

Fjalët dhe performancat e artistëve si Alicia Keys dhe Janelle Monáe patën ndikim të madh, duke theksuar se arti është gjithmonë një pasqyrë e shoqërisë dhe mund të bëhet një mjet për ndryshim.