Shumë yje dhe organizata të industrisë së argëtimit po angazhohen për të dhuruar miliona për të ndihmuar ata që janë zhvendosur ose kanë humbur shtëpitë e tyre nga zjarret në Los Angeles. Tani ylli i njohur, Beyoncé, ka dhuruar miliona për të ndihmuar familjet në zonën e zjarrit Eaton.
Agjencia e lajmeve, Associated Press, ka shkruar se Beyoncé ka kontribuar me 2.5 milionë dollarë për një fond të sapokrijuar për shpëtimin nga zjarret në LA, i themeluar nga fondacioni i saj humanitar, “BeyGOOD”.
Njoftimi u bë publik në llogarinë zyrtare të “BeyGOOD”, në rrjetin social Instagram.
“Fondacioni është dedikuar për të ndihmuar familjet në zonat e Altadena/Pasadena që humbën shtëpitë e tyre dhe për kishat dhe qendrat komunale që do të adresojnë nevojat e menjëhershme të atyre që janë prekur nga zjarret”, thuhet në postimin e fondacionit.
Beyoncé e themeloi fondacionin “BeyGOOD” në vitin 2013. Ai përqendrohet në mbështetje ekonomike për ata që janë në nevojë.
Java e kaluar ishte gjithashtu e trishtuar për familjen e Beyoncét, pasi nëna e saj, Tina Knowles, njoftoi se një shtëpi e saj në Malibu ishte shkatërruar nga zjarret në zonën e Los Angelesit.
“Ishte vendi im i preferuar, vendi im i shenjtë i lumturisë. Tani është shuar. Zoti i bekoftë të gjithë burrat dhe gratë trima të departamentit të zjarrfikësve, të cilët rrezikuan jetën e tyre në kushte të rrezikshme”, ka shkruar Tina Knowles në Instagram.
Ndërkohë që zjarrfikësit gjatë fundjavës arritën të largojnë flakët nga disa zona të populluara, pritet që erërat e forta të rikthehen këtë javë dhe të vazhdojnë deri të mërkurën.
Mijëra shtëpi janë shkatërruar dhe 24 persona kanë humbur jetën si pasojë e zjarreve, ndërsa shumë të tjerë raportohet se janë të zhdukur, dhe autoritetet presin që ky numër të rritet.
Me dobësimin e erërave dhe përpjekjeve intensive të zjarrfikësve gjatë fundjavës, është përmirësuar kontrolli i zjarreve në Los Angeles, por efektet e këtyre zjarreve në botën e showbizit vazhdojnë.
Akademia e Filmit njoftoi të hënën se do të anulohet një mbledhje për nominimet për shkak të zjarrit.
Ky është një tjetër ndryshim në sezonin e çmimeve të Hollywoodit. Edhe projekte të tjera janë duke u shtyrë.
Meghan Markle, dukesha e Sussexit, njoftoi të dielën se do të shtyjë lansimin e programit të saj për lifestyle në platformën “Netflix”, i cili tani pritet të nisë në muajin mars.
“Netflix” dhe kompania “Comcast NBC Universal” gjithashtu kanë njoftuar se do të dhurojnë nga 10 milionë dollarë secila për organizatat që ofrojnë ndihmë për viktimat e zjarreve në zonën e Los Angeles.
Ted Sarandos, bashkëkreu i “Netflixit”, ka thënë se donacioni i tij do të shpërndahet në pesë organizatave, duke përfshirë “World Central Kitchen” dhe “Shoqatën e Zjarrit të Los Anxhelosit”.
Po ashtu, Brian L. Roberts, udhëheqës i “Comcast”, ndau 2.5 milionë dollarë nga donacioni i kompanisë së tij për iniciativën “ReBUILD LA” për njerëzit e Los Angelesit, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për organizata të tjera që ndihmojnë viktimat.
Sindikatat e Aktorëve (SAG) ka njoftuar gjithashtu se do të ofrojnë 1 milion dollarë për të ndihmuar anëtarët e tyre të prekur nga zjarret.
Pavarësisht se shumë vëmendje është dhënë për yjet që kanë humbur shtëpitë, shumë punonjës të industrisë, të cilët nuk janë të njohur, gjithashtu kanë humbur shtëpitë e tyre ose janë zhvendosur nga zjarret.
Grupi jofitimprurës për mbledhjen e fondeve, “Broadway Cares/Equity Fights AIDS”, ka dhuruar gjithashtu 500,000 dollarë grante emergjente për të ndihmuar banorët e zonës së Los Angelesit dhe zjarrfikësit me ushqim, strehim, kujdes mjekësor, veshje dhe asistencë financiare emergjente.
“Këto zjarre kanë lënë plagë të thella, por gjithashtu kanë ndezur një valë mbështetjeje të fuqishme nga Broadway”, ka thënë Robert E. Wankel, president i “Bordit të Drejtorëve të Broadway Cares/Equity Fights AIDS” dhe drejtor i “Shubert Organization”.