Aktori i njohur Ben Stiller ka folur për mbështetjen që u jep fëmijëve të tij, Ella, 22 vjeç dhe Quinlin, 19 vjeç, për ta ndjekur karrierën e aktrimit.
59-vjeçari ka shprehur qëndrimin e tij të ngjashëm me atë të prindërve të tij, Jerry Stiller dhe Anne Meara, kur ai dëshironte të bëhej aktor, duke thënë se ai e kupton dëshirën e fëmijëve për të qenë pjesë e industrisë së filmit dhe i mbështet ata plotësisht.
“Ndiej ndoshta njësoj sikur prindërit e mi dikur. E njoh talentin dhe dëshirën e tyre për ta bërë këtë dhe i mbështes plotësisht. Po ashtu, e di që është një industri e vështirë dhe si prind, nuk dëshiroj që fëmijët të vuajnë nga sfidat që ka industria”, ka thënë ai për The Hollywood Reporter.
Aktori ka shprehur gjithashtu kënaqësinë që, pavarësisht pasojave që karriera e tij pati në jetën e familjes, fëmijët e tij nuk janë të frikësuar nga kjo industri.
“Jam i lumtur që, për të gjitha gabimet që mund të kem bërë si prind ose kur kam qenë shumë i zënë me punën time, ata nuk thonë ‘Nuk dua të kem asnjë lidhje me këtë’”, ka thënë ai.
Stiller dhe gruaja e tij, Christine Taylor, ishin të martuar për më shumë se dy dekada, por ata u ndanë për rreth tre vjet, përpara se të ribashkoheshin gjatë pandemisë COVID-19.
Ylli i filmit të njohur “Meet the Parent”, ka treguar se është përpjekur shumë për të mos e lënë të shkojë dëm këtë mundësi të dytë për lumturinë e tyre.
“Nuk e di se si ndodhi, përveçse që të dy deshëm që të funksiononte. Tani, çdo ditë që jemi së bashku, nuk e marrim si të mirëqenë. Duhet të punosh për të. Nuk e di. Jam thjesht falënderues... Nuk kam ndonjë këshillë të madhe për marrëdhëniet, përveçse jam shumë i lumtur që jemi së bashku, dhe mendoj se ndonjëherë ndodhin rrethana kur njerëzit nuk duhet të ribashkohen – ndonjëherë nuk është gjëja e duhur për tu bërë. Për ne, ishte gjëja e duhur”, pati thënë Stiller në shfaqjen “The View”.