Sipas burimeve të TMZ, aktori i njohur Ben Affleck po bëhet gjithnjë e më i paduruar për ta shitur rezidencën luksoze që ndan me ish-bashkëshorten e tij, këngëtaren Jennifer Lopez. Por, Lopez nuk është aq entuziaste për idenë e uljes së çmimit.
Shtëpia e tyre në Beverly Hills, është në shitje që nga muaji korrik i vitit 2024, por nuk ka pasur interes të vërtetë që nga fillimi i këtij viti.
Të dy e patën blerë pronën në muajin maj të vitit 2023 për afro 61 milionë dollarë.
Tani po kërkojnë 68 milionë, por sipas disa agjentëve të pasurive të paluajtshme, kjo është një ëndërr e paarritshme në një kohë kur blerësit e kategorisë së tyre janë në kërkim të pazareve të mira.
Një nga arsyet kryesore për mungesën e interesit, sipas TMZ-së është kostoja marramendëse e sigurimit, vetëm për mbrojtjen nga zjarret në zonën e goditur nga flakët në muajin janar, pritet të shkojë deri në 500 mijë dollarë në vit. Sipas TMZ-së shumë njerëz besojnë se çifti ka paguar më shumë se vlera reale për pronën.
Affleck dhe Lopez kanë finalizuar divorcin më herët gjatë vitit dhe u njoftua se kishin arritur një marrëveshje për pronën, por detajet nuk janë bërë publike. Tani, duket se Affleck kërkon të ecë përpara, edhe me një humbje të mundshme financiare, ndërsa Lopez nuk është gati të pranojë më pak se çmimi i saj ideal.