David Beckhami ka rrëfyer me humor se shpesh e bezdis gruan Victoria dhe fëmijët e tyre, për shkak të natyrës së tij tepër të organizuar. Ai është i bindur se, nëse nuk do të ishte ai që mban gjithçka në kontroll, “asgjë nuk do të ishte e rregullt” në familje.
Ish-futbollisti ka folur më herët për çrregullimin obsesiv-kompulsiv nga i cili vuan, dhe dëshirën e tij për ta mbajtur shtëpinë të pastër në mënyrë të perfeksionuar dhe të sistemuar. Së fundmi, gjatë një diskutimi në një panel për lansimin e markës së tij të suplementeve IM8, në Miami, ai ndau më shumë rreth zakoneve të tij të përditshme.
“Jam shumë i organizuar, aq shumë sa bëhet lodhëse çdo ditë. Kjo e bezdis gruan time ndonjëherë. I bezdis edhe fëmijët. Por u them gjithmonë: ‘Pa mua, asgjë nuk do të ishte në rregull, dhe do të harronit çdo gjë’”, ka thënë Beckham.
Ai po ashtu ka treguar se është gjithmonë personi i parë që zgjohet në shtëpi – përgatit mëngjesin, e çon vajzën 13-vjeçare Harper në shkollë, më pas kthehet për të ushtruar me bashkëshorten. Pasdite, e merr sërish Harperin nga shkolla dhe përgatit darkën për familjen.
“Është ajo që bëjnë shumica e prindërve. Jam gjithmonë duke bërë diçka – nuk kam asnjë ditë ku nuk bëj asgjë”, ka shtuar ai.
Në dokumentarin e tij në Netflix, “Beckham”, David ka treguar se sa i përkushtuar është ndaj organizimit, duke dhënë vështrim në mënyrën si i sistemon sirtarët e kuzhinës dhe dhomës së gjumit.
Pavarësisht se mund të duket e ekzagjeruar për dikë, Beckham ka thënë se e bën me gjithë përkushtim – edhe pse nuk është i sigurt se Victoria e çmon sa duhet këtë përpjekje.