Aktorja e njohur hollywoodiane, Cameron Diaz, i rikthehet aktrimit për herë të parë në 10 vjetët e fundit me filmin e ardhshëm, “Back in Action”. Krahas saj me rol protagonist vjen edhe ylli i muzikës dhe filmit, Jamie Foxx, i cili për herë të fundit ka bashkëpunuar me Diazin në filmin e vitit 2014, “Annie”.
Tashmë janë publikuar pamjet e para të projektit komedi dhe aksion të realizuar nga platforma e njohur digjitale Netflix.
Vite pasi hoqën dorë nga jeta si spiunë të CIA-s për të krijuar një familje, Emily dhe Matt e gjejnë veten të tërhequr zvarrë në botën e spiunazhit kur identiteti i tyre zbulohet nga kriminelët. Kështu ata detyrohen t’i kthehen jetës së mbushur me rreziqe dhe adrenalinë.
Filmi vjen me regji të Seth Gordon dhe pjesë e kastës së aktorëve janë edhe, Kyle Chandler, Andrew Scott, Jamie Demetriou, McKenna Roberts, Rylan Jackson dhe Glenn Close.
“Back in Action” e shënon premierën në Netflix më 17 janar të vitit të ardhshëm.