Modelja e njohur Ashley Graham do të ngjitet në skenën e teatrale për të interpretuar rolin e ikonikes Roxie Hart në shfaqjen legjendare “Chicago”. 37-vjeçarja është e entuziazmuar për këtë sfidë të re dhe e ka cilësuar atë si një ëndërr të realizuar.
“Jam e nderuar që do të debutoj në 'Broadway' me rolin ikonik të Roxie Hart. Jam thellësisht mirënjohëse për këtë sfidë të re”, ka thënë ajo në një deklaratë për shtyp, ka raportuar FemaleFirst.
Ashley e ndau lajmin edhe me ndjekësit e saj në llogarinë e saj në rrjetin soscial Instagram.
“Është zyrtare. Po shkoj në 'Broadway'!!! Nuk mund ta besoj që më në fund mund ta ndaj me ju këtë lajm: Do të debutoj në @chicagomusical! Do të jem Roxie Hart (!!) në 'Ambassador Theatre' nga e marta, 15 prill, deri të dielën, 25 maj”, ka shkruar Graham.
“Broadway” i referohet rrugës me të njëjtin emër në Manhattan, New York, ku ndodhen shumë teatro të mëdha. Në kuptimin kulturor, “Broadway” përfaqëson industrinë e shfaqjeve teatrale profesionale dhe është sinonim i produksioneve të mëdha muzikore dhe dramatike.
Ajo ka treguar se të luante në “Broadway” ka qenë një ëndërr e kahershme për të.
“E shkrova këtë në tabelën time ku shkruaj për vizionet që kam, që në vitin 2019 … kini kujdes çfarë dëshironi, sepse ëndrrat bëhen realitet. Shihemi në 'Broadway'!!!”, ka thënë tutje modelja.
Në rrjetet sociale, Greham ka ndarë edhe video nga provat e saj, duke pranuar emocionet e forta që po përjeton.
“Jam shumë e emocionuar, por edhe shumë e lumtur. Ky është një moment që e kam pritur prej kohësh dhe po përgatitem me shumë pasion!”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, modelja ka treguar më herët se sfidat dhe pengesat kanë qenë çelësi i suksesit të saj.
“Duhet të punoj po aq shumë sa çdokush tjetër për të arritur gjërat që dua në jetë. Gjithmonë kam qenë një punëtore e palodhur, por ndonjëherë vetëm puna e madhe nuk mjafton. Dhe kjo është në rregull. Tani, përdor humbjet për të më shtyrë përpara dhe për të më motivuar edhe më shumë”, ka thënë ajo një intervistë për Oprah Daily.