Reperi me famë botërore, Nelly, është arrestuar në një kazino në afërsi të Saint Louis në SHBA.
Ai është akuzuar për posedim të lëndëve narkotike, raporton AP.

Autoritet e Missourit e kanë ndaluar reperin në orën 4 e 45 të mëngjesit, me kohën lokale.
Nellyt, emri i vërtetë i të cilit është Cornell Iral Haynes Jr. iu gjetën katër pilula “ekstazi”.
49 vjeçi në vitin 2018 ishte akuzuar edhe për vozitje të veturës pa sigurim. Në rastin e tanishëm ai ende nuk akuzohet zyrtarisht dhe pritet që për të të nisë hetimi nga prokuroria e shtetit.

“Pasi fitoi disa jackpote në kaziono, në vend se vetëm të mbikëqyrej fitimi, personi zyrtar nuk pati nevojë të hyjë në kontrolle më të thella. Personi zyrtar i tha Haynes se protokolli kërkon kontroll më të thellë pasi kapi jackpotin, por Haynes e dinte se kjo nuk është e vërtetë pasi ai ka fituar jackpotin disa herë në këtë vend”, ka thënë avokati i Nellyt, Scott Rosenblum.
Avokati ka cekur se Nelly nuk është njoftuar paraprakisht për kontrollin ndërkohë që ka thënë se personi zyrtar dëshironte “të bënte spektakël” pasi e lidhi reperin dhe e tërhoqi në sy të të gjithëve.
“Jam 100% i sigurt se ky rast s’ka për të shkuar kurrkund dhe ne do të kërkojmë sqarim për sjelljen e këtij zyrtari”, ka thënë ndër të tjera avokati.
Nelly, i cili ka fituar tri herë çmimin “Grammy”, njihet për hitet “Hot In Herre”, “Dilema” dhe “Just a Dream”. Ai ka pasur katër hite të ranguara në pozitën e parë dhe ka nëntë çmime nga Billboard. Ai së fundmi ka bërë disa performanca me këngëtaren Janet Jackson si mysafir special në turneun e saj.
Ndërkohë, Nelly dhe e fejuara e tij, këngëtarja Ashanti, janë ribashkuar në muajin prill të vitit 2023.
