Ceremonia e ndarjes së çmimeve, e cila mbahet që nga viti 1992, “MTV Movie and TV Awards”, është anuluar për këtë vit dhe pritet të mbahet vitin e ardhshëm në një format të ri.
Anulimi ndodhi pasi aktorja e mirënjohur, Drew Barrymore, nuk pranoi ta udhëhiqte spektaklin pas grevës së skenaristëve dhe aktorëve, e cila u mbajt vitin e kaluar në Hollywood, dhe si rezultat spektakli mbeti pa udhëheqës, raporton FemaleFirst.
“I kam dëgjuar skenaristët, dhe në mënyrë që t'i respektoj me të vërtetë, do të heqë dorë nga udhëheqja e spektaklit ‘MTV Movie and Tv Awards’ dhe do të solidarizohem me protestuesit. Gjithçka që ka të bëjë me filmin e televizionin është lindur nga kreativiteti i tyre dhe deri sa të arrihet marrëveshja, po zgjedh të pres e ta shikoj spektaklin nga shtëpia dhe shpresoj të më bashkëngjiten”, pati thënë Drew në një deklaratë për Variety, vitin e kaluar.
Ajo e ka vlerësuar MTV-në si një ndër partnerët më të mirë me të cilët ka punuar ndonjëherë.
“Mezi po pres të bëhem pjesë e kësaj vitin e ardhshëm kur do të mund të festojë krijimtarinë që ka bërë MTV-ja, gjë që është një lloj shfaqjeje që u mundëson adhuruesve të zgjedhin se kujt do t’i shkojnë shpërblimet dhe është me të vërtetë televizion gjithëpërfshirës”, ka thënë tutje Drew.
Shefi ekzekutiv i këtij spektakli ka thënë se ekipi i tij dhe ai i Drew patën formuar një atmosferë familjare.
Ndërkohë Bruce Gillmer nga “Paramount Global”, kishte thënë se Drew ka qenë e mrekullueshme.
“Është e vështirë të imagjinohet se do të mund të kemi eksperiencë më të mirë me një udhëheqës. Ajo është një partnere, është e pranishme çdo ditë dhe shumë e përkushtuar. Ajo pati sjellë edhe disa njerëz nga ekipi i saj këtu. Nuk po befasohem se është solidarizuar me skenaristët, për të cilët kemi shumë respekt. Ajo ka mbështetjen tonë të plotë”, kishte thënë ai.
Megjithatë spektakli i MTV për shpërblimet muzikore “MTV Video Music Awards” është raportuar se do të mbahet në New York me 10 shtator.