Hollywood

Anne Hathaway tregon arsyet se pse hoqi dorë nga alkooli

Anne Hathaway

Anne Hathaway

Foto: Associated Press

Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Anne Hathaway, ka treguar se ka pesë vjet që nuk konsumon alkool.

“Nuk flas shpesh për këtë, por kam pesë vjet që nuk pi alkool dhe kjo është një arritje e madhe për mua”, ka thënë aktorja në një intervistë për New York Times.

Ajo ka thënë se thellë brenda vetes e dinte që alkooli nuk ishte për të dhe moskonsumimi ka bërë që gjithçka përreth saj të jetë më mirë.

Si arsyen më të fortë për lënien e alkoolit ajo i ka cekur fëmijët, Jonathanin dhe Jackun, të cilët i ka me bashkëshortin Adam Shulman.

“Djali im Jonathan është në moshën kur unë i duhem përgjatë gjithë kohës”, i pati thënë aktorja revistës Elle, duke bërë të ditur se nuk donte të rrezikonte të kishte kokëdhimbje në mëngjes e të mos kishte mundësi të koncentrohej në raportin e saj me djalin, pasi e kishte përjetuar njëherë atë ndjenjë.

“Isha duke vozitur veturën dhe kisha dhimbje koke pasi kisha pirë një natë më herët. Kjo më mjaftoi, nuk e doja fare atë ndjenjë”, ka thënë ylli.