Supermodeles britanike, Naomi Campbel, i është ndaluar të jetë administruese e fondeve bamirëse në Angli dhe Uells për pesë vjet, pasi organizata bamirëse për varfërinë, që ajo kishte themeluar dy dekada më parë, të enjten u konsiderua si “e keq qeverisur e me menaxhim joadekuat financiar”.
Pasi një hulumtimi trevjeçar të aktiviteteve financiare të organizatës “Fashion for Relief”, Komisioni i Fondit Bamirës, i cili regjistron dhe rregullon fondet bamirëse në Angli dhe Uells, ka deklaruar se ka gjetur raste të shumta të sjelljes jo të mirë dhe keqmenaxhimit dhe se vetëm 8.5 për qind e të ardhurave të fondit të supermodeles shkuan në grante bamirësie në një periudhë gjashtëvjeçare nga viti 2016, shkruan AP.
Ky komision ka deklaruar se shumë para nga ky fond ishin përdorur nga Campbell nëpër hotele luksoze në Kane të Francës, ku përfshiheshin trajtime në banja, shërbime në dhomë e deri te duhani. Rregullatori ka kërkuar shpjegime nga administratorët e besuar, por ka deklaruar se nuk është dhënë asnjë provë që mbështet shpjegimin e tyre për koston e hotelit, për të cilën kanë thënë se mbulohet nga një donator bamirës, prandaj nuk i kushton asgjë organizatës të Campbellit.
“Nuk kisha kontroll mbi fondin bamirës që kam, mbikëqyrjen e mbarëvajtjen e fondit ua kam dorëzuar punonjësve ligjorë. Jemi duke hulumtuar të kuptojmë se si dhe çka ka ndodhur dhe se nga çdo gjë që bëj, çdo qindarkë që kam mbledhur shkon për bamirësi”, ka thënë Campbell për AP.
Komisioni që regjistron dhe rregullon organizatat bamirëse ne Angli dhe Uells, gjithashtu ka gjetur se një e afërt me këtë fond, Bianka Hellmich, ka pranuar rreth 290 mijë funte nga fonde të paautorizuara për shërbime të konsulencës, gjë që ishte në kundërshtim me dekretin e bamirësisë, është diskualifikuar si kujdestare për nëntë vjet. Administratores tjetër, Veronica Chou, i është ndaluar të punojë për katër vjet.
Administratorët e tillë, të cilët konsiderohen si të besueshëm, kërkohet që të marrin vendime që janë në të mirën e fondit bamirës për të cilin punojnë, si dhe të përmbushin detyrat dhe përgjegjësitë ligjore. Kërkimi ynë ka gjetur se këta punonjës nuk e kanë kryer punën si duhet, gjë që rezultoi me diskualifikim”, ka thënë Tim Hopkins, specialist në hulumtime dhe standarde.
Organizata bamirëse që u themelua në vitin 2005 pasi kishte ndodhur uragani Katrina në New Orleans, është shpërbërë dhe u hoq nga regjistri i organizatave bamirëse në fillim të këtij viti. Në webfaqen e tyre, e cila është ende aktive, thuhet se ky fond ka prezantuar iniciativat e modës dhe projektet e tyre në New York, Londër, Kanë, Moskë, Mumbai dhe Das es Salaam, duke mbledhur më shumë se 15 milionë dollarë për çështje bamirëse në mbarë botën.
Organizata në fjalë është krijuar për ta unifikuar industrinë e modës në mënyrë që të lehtësojë varfërinë dhe ta mbështesë shëndetit dhe edukimit, duke krijuar grante për organizata të tjera dhe duke dhënë mjete për tejkalim të katastrofave në ndodhin në botë.
Komisioni ka deklaruar se rreth 344 mijë funte britanike janë rikuperuar dhe 98 mijë funte të tjera nga fondet bamirëse janë vënë në mbrojtje. Këto fonde janë përdorur për të bërë donacione për dy kompani të tjera bamirëse dhe për të shlyer detyrimet e papaguara.
“Jam i kënaqur që hetimi që është bërë e ka parë të nevojshme të shpërndahen mjetet për organizata të tjera bamirëse, të cilat kjo kompani i pati mbështetur më parë”, ka thënë Hopkins.