Këngëtari italian me famë botërore, Andrea Bocelli, ka thënë se ka dëshirë të bashkëpunojë me këngëtaren, Taylor Swift.
“Kam menduar për këtë dhe mendoj se do të ishte diçka e bukur”, ka thënë Andrea për The Mirror.

Ai ka thënë se bashkëpunimin do ta bënte për t'i bërë përshtypje vajzës së tij 12 vjeçe, Virginia, pasi ajo është adhuruese e Swiftit.
65 vjeçi më parë ka bashkëpunuar me artistë të tjerë të mëdhenj, si Ed Sheeran, Shania Twain, Nelly Furtado, Jennifer Lopez e Mary J.Blige.

“E dua Taylor Swiftin dhe do të shkoj në njërin nga koncertet e saj. Do të ishte e mrekullueshme nëse ai do të bashkëpunonte me të”, ka thënë Virginia.
Virginia, ka ndjekur hapat e babait të saj dhe është bërë këngëtare, por Andrea nuk i ka bërë ndonjë presion për këtë.
“Kur këndon ajo më lumturon shumë. Fëmijët duhet të jenë të lirë dhe shpresoj që kur të rritet të bëjë atë çfarë i thotë zemra”, ka thënë Andrea.

Ndërkohë Virginia ka treguar rreth perfomancës së parë me babanë disa vite më parë.
“Mendoj se hera e parë kur kam kënduar me babanë ishte kur isha 8 vjeçe, në Palma. Nuk ishte paraparë që unë të këndoja. Nuk jam e sigurt se si ka ndodhur”, pati thënë ajo në emisionin “Loose Women”.
Më pas Andrea ka sqaruar se është dashur të këndonte këngën “Halleluja”, në të cilën ka shumë fjalë në gjuhën angleze dhe i ka kërkuar Virginias që ta mësonin bashkë ta këndonin.