Nga data 12 deri më 16 janar është mbajtur “Java e modës” për meshkuj në Milano. Në total u mbajtën 22 sfilata fizike.
Njëra nga sfilatat kryesore ishte pa diskutim nga “Gucci”. Brendi realizoi koleksionin “Ancora” edhe për meshkuj. Kritikët e modës e cilësuan një pasqyrë veshjesh nga sfilata e fundit për femra, të cilat ishin përshtatur shumë mirë edhe për meshkuj.
Para sfilatës “Gucci” kishte marrë mure dhe xhama nga ndërtesa të ndryshme në Milano, Londër, New York dhe Shanghai, të cilat i kishte përshtatur mirë me sfilatën, duke bërë një kombinim në mes të modës dhe pikturës.
Veshja me të cilën filloi sfilata ishte një pasqyrim i stilit të cilin po e ndjek brendi kohëve të fundit. Minimaliste dhe elegante, veshja përbëhej nga një pallto e gjatë e zezë, pantallona të zinj me çorape të bardha dhe patjetër një çantë “Rosso Ancora Jackie”.
Edhe për këtë sfilat producenti Mark Ronson kishte përgatitur tinguj origjinalë dedikuar eventit.
Përgatiti: Sara Koci