Showbiz

Vdiq aktori i “Top Gun” dhe “Batman Forever”, Val Kilmer

Val Kilmer

Val Kilmer

Foto: Associated Press

Aktori i njohur i Hollywoodit, Val Kilmer, i cili u bë i famshëm për rolet e tij në disa nga filmat më të mëdhenj të viteve ’80 dhe ’90, përfshirë “Top Gun” dhe “Batman Forever”, ka vdekur në moshën 65-vjeçare, ka raportuar BBC.

Kilmer gjithashtu luajti në filmin biografik “The Doors” (në vitin 1991), ku portretizoi frontmanin legjendar të grupit Jim Morrison, si dhe në “Tombstone”, një nga filmat më të njohur të kohës, dhe në “Heat”, një nga filmat më të rëndësishëm të zhanrit kriminal.

Sipas vajzës së tij, Mercedes Kilmer, aktori u nda nga jeta të martën në Los Angeles si pasojë e pneumonisë. Ajo ka thënë për mediat amerikane se babai i saj ishte diagnostikuar me kancer në fyt në vitin 2014, por më vonë ishte shëruar.

Megjithatë, operacioni i trakeotomisë ndikoi në zërin e tij dhe ia kufizoi karrierën e mëvonshme si aktor. Pavarësisht kësaj, ai u rikthye në ekran për të interpretuar edhe një herë rolin legjendar si “Iceman” përkrah aktorit Tom Cruise në filmin e suksesshëm të vitit 2022, “Top Gun: Maverick”.
“Shihemi, mik. Do të më mungosh”, ka shkruar në një postim në Instagram, aktori Josh Brolin, një nga miqtë dhe kolegët e tij.

Ai e përshkroi Kilmerin si “njeri të zgjuar, sfidues, të guximshëm, tepër kreativ dhe një shpërthim i vërtetë energjie”, duke shtuar se “të tillë nuk kanë mbetur shumë”.

Në vitin 2021, Kilmer ka publikuar një dokumentar autobiografik që përshkruante ngritjen dhe uljet e jetës dhe karrierës së tij. 

“Val”, që u shfaq premierë në Festivalin e Filmit në Kanë, përfshin pamje ekskluzive nga 40 vjet incizime të tij personale, duke përfshirë momente ku ai fliste me një pajisje zanore pas operacionit të kancerit.

Nga fëmijëria deri te suksesi në Hollywood

Val Kilmer, emri i plotë i të cilit ishte Val Edward Kilmer, lindi më 31 dhjetor 1959 dhe u rrit në një familje të mesme në Los Angeles.

Prindërit e tij ishin ndjekës të një lëvizjeje fetare të cilës Kilmer do t’i përmbahej gjatë gjithë jetës së tij.

Në moshën 17-vjeçare, ai u bë studenti më i ri që ishte pranuar ndonjëherë në Juilliard School në New York, një nga kolegjet më prestigjioze të dramës në botë.

Ai e nisi karrierën me filma komedi si “Top Secret!” (1984) dhe” Real Genius” (1985), por fama e madhe erdhi me rolin si “Iceman”, rivali i Maverick (Tom Cruise) në “Top Gun” (1986), një nga filmat më të rëndësishëm të dekadës.

VIDEO: Një nga skenat më epike të Kilmerit në filma aksion: "The Heat" krah aktorëve De Niro e Al Pacino

 

 

Më pas, Kilmer interpretoi në filmin fantastiko-epik “Willow” dhe në thrillerin “Kill Me Again”, ku luajti përkrah aktores britanike Joanne Whalley, me të cilën u martua në vitin 1988. Çifti pati dy fëmijë.