Aktori Gene Hackman besohet të ketë vdekur disa ditë pas gruas së tij Betsy Arakawa dhe për shkak se ishte me Alzheimer, ai mund të mos ketë qenë në dijeni se 65-vjeçarja ka vdekur, raporton BBC të premten.
Betsy Arakawa, trupi i së cilës u gjet në dyshemenë e banjës së shtëpisë së çiftit, besohet se vdiq para burrit të saj, ka thënë Heather Jarrell, kryeekzaminuese mjekësore në Zyrën e Ekzaminuesit Mjekësor të New Mexicos.
Arakawa u pa e gjallë për herë të fundit më 11 shkurt, kur u kap nga kamerat e vëzhgimit duke hyrë në një farmaci lokale dhe një dyqan ushqimesh për qen përpara se të kthehej në shtëpi. Në të njëjtën kohë, 11 shkurti është edhe dita e fundit që Arakawa bëri komunikim me e-mail.
Bashkëshorti i saj, Gene Hackman, ndoshta ka vdekur më 18 shkurt, kur stimuluesi i kardiakut regjistroi rrahjet e zemrës për herë të fundit.
“Bazuar në rrethanat, është e arsyeshme të konkludohet se Arakawa ishte e para që vdiq”, u tha Jarrell gazetarëve.
Aktori fitues i Oscarit ka të ngjarë të ketë vdekur për shkaqe natyrale, ndërsa Betsy vdiq nga sindroma pulmonare hantavirus.
Përveç kësaj, 95-vjeçari ishte me hipertension, kishte sëmundje aterosklerotike kardiovaskulare, si dhe sëmundjen e Alzheimerit.