Showbiz

Adele po përgatitet për një pauzë të gjatë në muzikë

Adele

Adele

Adele ka paralajmëruar fansat se do të qëndrojë larg për një "kohë tepër të gjatë", pasi të përfundojë qëndrimin e saj në Las Vegas.

Krijuesja e hitit “Easy On Me" ka edhe dhjetë shfaqje deri në përfundim të paraqitjeve të quajtura "Fundjavë me Adele" në Colosseum në Caesars Palace, dhe sapo të largohet nga skena më 23 nëntor, ajo do të fillojë një pauzë të gjatë.

Në një klip të publikuar në rrjetin social TikTok, ajo dëgjohet duke i thënë turmës gjatë paraqitjes së saj në Munih të Gjermanisë të shtunën, se i kanë mbetur edhe dhjetë shfaqje dhe se më pas do të pauzojë.

"Kam dhjetë shfaqje për të bërë, por pas kësaj nuk do t'ju shoh për një kohë tepër të gjatë”, ka thënë Adele.

Superylli 36-vjeçar ka thënë se po planifikon t'i lehtësojë gjërat dhe të kalojë kohë cilësore me partnerin e saj, agjentin sportiv Rich Paul, 42 vjeç, dhe djalin e saj 11-vjeçar Angelo, të cilin e ka me ish-bashkëshortin, Simon Konecki.

Ajo ka thënë për gazetën gjermane ZDF se nuk ka për momentin plane për këngë të reja. 

“Dua një pushim të gjatë pas kësaj dhe mendoj se dua të bëj gjëra të tjera krijuese, vetëm për pak kohë”, është shprehur këngëtarja.

Adele nuk e ka fshehur faktin se dëshiron të ketë një tjetër fëmijë.

Krijuesja e hitit "I Set Fire To The Rain" më parë ka rrëfyer se është shumë larg kthimit në studio, megjithatë, Adele premtoi se kur të kthehet me një album të ri, ajo do të zhvillojë një turne botëror.

Ajo u ka thënë pjesëmarrësve të koncerteve në Caesar's Palace në fillim të këtij viti se nuk pret se do të krijojë ndonjë album për një kohë të gjatë. 

"Por herën tjetër që do ta bëj, do të vij kudo që të jetoni”, është shprehur Adele.

Këngëtarja e “Chasing Pavements” shpjegoi gjithashtu pse filloi të zhdukej nga qendra e vëmendjes për periudha të gjata përpara se të publikonte një album të ri.

“Arsyeja e vërtetë që unë kam pasur vetëm katër albume dhe nuk mendoj se shumë njerëz e dinë këtë, ata e dinë që unë kam një fëmijë, djali im është 11 vjeç. Pra, nëse bëni llogaritë, kjo do të thotë se kam mbetur shtatzënë kur isha 21 vjeç. Për shumë njerëz kjo do të konsiderohej, dhe u konsiderua si vetëvrasje në karrierë”, është shprehur ajo.