Kanali i mirënjohur transmetues, Netflix, ka konfirmuar se aktori i me famë botërore, Adam Sandler do të rikthehet në rolin që e ka luajtur gati 30 vjet më parë në filmin “Happy Gilmore”.
Drejtuesit e Netflixit, gjatë prezantimit të projekteve të tyre për vitin 2024, në “Pier 59 Studios” në New York, deklaruan se komediani do të rikthehet në rolin kryesor të filmit origjinal, i cili u realizua në vitin 1996, raporton The Hollywood Reporter.
Ai film, i cili fitoi trefishin e shumës së buxhetit që u shpenzua për realizim të tij, paraqet një pjesëmarrës të spektaklit “Saturdau Night Live”, i cili dështon në lojën hokej, ka probleme me nervozen dhe përdor talentin e tij të ri në golf e mundohet të fitojë mjaftueshëm para në mënyrë që të shpëtojë shtëpinë e gjyshes së tij nga përmbaruesit.
Komedia u bë një nga filmat më të popullarizuar, ku luan Sandleri dhe një nga rolet e tij më të njohura, gjë që bëri Netflixin të bëjë një tjetër projekt filmik si ai.
Lajmi erdhi pasi një nga shoqet e komedianit 57 vjeç, bëri të ditur se po punohet në një projekt të ri si vazhdimësi e “Happy Gilmore”.
Muajin e kaluar, aktorja e mirënjohur, Drew Barrymore, tregoi se Sandler ishte duku punuar në skenarin e tij për vazhdimësinë e projektit filmik “Happy Gilmore”, ani pse ende nuk ishte konfirmuar nëse kjo punë do të vazhdonte tutje.
Aktori Christopher McDonald, i cili në filmin origjinal të 1996-s luajti rolin e Shooter McGavin, pati thënë se mendon se Sandler mund t’i japë një rol në versionin e ri të filmit.
Vet Sandler, në podcastin e Dan Patrickut, në muajin mars, pati thënë se është duke punuar në një skenar, ani pse atëherë nuk dihej se do të bëhej versioni i ri i filmit.
Projekti i ri filmik “Happy Gilmore” do të jetë pjesë e marrëveshjes 250 milionë dollarëshe që Sandler bëri me Netflixin, pasi ai ka punuar edhe në filma të tjerë që u transmetuan në këtë platformë.
Traileri i filmit "Happy Gilmore" që u bë në vitin 1996: