Anëtarët e grupit të njohur nga Suedia, ABBA, i kanë kërkuar kandidatit republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, të mos ua përdorë muzikën në fushatë zgjedhore.
Mediumi suedez “Svenska Dagbladet” ka shkruar se hitet e grupit, përfshirë “The Winner Takes It All”, “Money, Money, Money” dhe “Dancing Queen” ishin këngën që janë lëshuar në një nga tubimet e Trumpit më 27 korrik në Minnesota, raporton Reuters.
“Bashkë me anëtarët e ABBA-s, ne kemi mësuar se videot dhe muzika e grupit ABBA janë lëshuar në ngjarjet e Trumpit dhe prandaj kemi bërë kërkesë që këto të ndalohen”, ka deklaruar menaxhmenti i bendit, “Universal Music”.
Në këtë deklaratë gjithashtu thuhej se asnjë leje e as licencë nuk është lëshuar për kampanjën e Trumpit.
Përfaqësuesit e grupit i kanë thënë Reutersit se anëtarët e ABBA-s kanë refuzuar të komentojnë për çështjen, duke shtuar se e mbështesin plotësisht deklaratën e “Universal Music”.
Shumë artistë e përfaqësuesit e tyre janë ankuar ndër vite se Trump po ua përdor muzikën, përfshirë edhe kitaristin e ndjerë amerikan, Tom Petty, këngëtaren Adele dhe rok-bendin R.E.M.
Në muajin prill, ‘labeli’ i këngëtares së ndjerë irlandeze, Sinead O’Connor, gjithashtu ka kërkuar që Trumpi të mos e përdorë muzikën e saj.
Të njëjtën gjë, më parë gjatë këtij muaji, e ka bërë edhe këngëtarja e njohur Celine Dion, duke e quajtur përdorimin e këngëve të saj “të paautorizuar”.