Gazetari i njohur Louis Staples ka shkruar në revistën Rolling Stone rreth zbehjes së shkëlqimit të familjes se njohur Kardashian. Por ai ka theksuar se mendon që kjo gjë mund të jetë e qëllimshme.
Sipas Staples zbehja që ka nisur më herët u vu në dukje në muajin tetor të vitit 2024, kur filloi promovimi për filmin “Wicked”, pasi familja Kardashian kishte postuar një fotografi duke shikuar filmin privatisht, para se ai të shfaqej në kinema, në shtëpinë e yllit Kim Kardashian.
Kjo nuk u prit mirë nga publiku dhe nxiti kritika.
Familja u akuzua për shpërdorim të famës, pasi shfaqja e filmit në shtëpinë e Kimit ndodhi përpara se ai të shfaqej nëpër kinema.
Staples ka vlerësuar se ky reagim ishte një lloj kujtese që Kardashianët ende kanë fuqinë të nxisin emocione të forta, edhe pse shfaqja e tyre në media sipas tij kohët e fundit ka rënë.
Tutje ai ka theksuar se ndërsa dikur ishin të njohur për dramat që bënin në reality show-n e tyre “Keeping Up With the Kardashians” (KUWTK), tani familja po fokusohet në biznes, me shumë më pak konflikt personal.
"Këtë vit, sezoni i pestë i shfaqjes së tyre 'The Kardashians', kaloi pa shumë bujë. Ndërsa nuk është e befasishme për një familje të pasur si kjo që të përpiqet të shkëputet nga etikimi me të cilin njihen, 'reality stars', fakti që shfaqja ka kaluar thuajse pa u vënë re tregon se relevanca e tyre kulturore mund të zbehet", ka shkruar ai.
Për më shumë se një dekadë, Kardashians kanë qenë të njohur për krijimin dhe menaxhimin e konflikteve publike. "KUWTK" ka funksionuar duke u bazuar fort në drama, përfshirë konfliktet brenda familjes dhe me shtypin. Kjo strategji ka funksionuar mjaft mirë për t’i mbajtur ata në qendër të vëmendjes. Prania e tyre në platforma si Instagram, ku ata janë disa nga përdoruesit më të ndjekur, ka qenë shembull i shkëlqyer i “ekonomisë së vëmendjes”, ku dukja sipërfaqësore është e barabartë me vlerën.
Por tani, Kardashianët duken më pak të gatshëm të luajnë rolin e njëjtë.
Kim Kardashian, për shembull, ka ndërtuar një perandori biznesi, duke përfshirë markën e saj të veshjeve të brendshme “Skims”, që në vitin 2023 u vlerësua me 3.2 miliardë dollarë.
Ajo është paraqitur gjithnjë e më shumë si një biznesmene serioze dhe jo si një yll tabloidesh si dikur.
Gjithashtu është përfshirë edhe në fushën e drejtësisë.
Ky duket sikur largim nga vitet e hershme, kur Kardashianët shpesh përdornin shfaqjen e tyre për të adresuar polemikat dhe për të formuar perceptimin publik.
Për shembull, kur Khloe Kardashian kuptoi për tradhtinë që i bëri partneri i saj, sportisti, Tristan Thompson, shikuesit morën një pasqyrë intime të dhimbjes së saj, diçka që e bëri karakteristike tregimin e tyre.
"Megjithatë, sezonet më të fundit të 'The Kardashians' duken më shumë si reklamë për bizneset e familjes sesa 'reality show'. Drama është zvogëluar dhe formati i projektit ka të bëjë më shumë me markat e tyre personale se sa me konfliktet familjare" , ka vlerësuar Staples.
Sipas tij ky ndryshim ka bërë që seria të duket e mërzitshme dhe shikuesit nuk janë më po aq të interesuar për çdo detaj të jetës së tyre.
“Ky mund të jetë një vendim strategjik. Duke u fokusuar më shumë në bizneset e saj, si 'Skims' dhe fondi i saj privat i investimeve 'SKKY Partners', Kim duket të ketë zgjedhur të largohet paksa nga vëmendja publike. Ky trend pasqyron atë që kanë bërë edhe gra të tjera miliardere, si Oprah dhe Rihanna, të tërhiqen nga ekspozimi i vazhdueshëm për t’u përqendruar te bizneset e tyre”, ka shkruar ai.
Ajo ka bërë gjithashtu një hap tjetër përpara me rolin e saj në prodhimin e një projekti filmik për platformën Netflix.
“Nëse do të ishit në pozitat e tyre, do të zgjidhnit të bëni para me një biznes si "Skims", ku keni më shumë kontroll për mënyrën se si ekspozoheni në publik”, ka thënë gazetari Zing Tsjeng.
Nuk është vetëm Kim.
Motra e saj Kourtney gjithashtu ka qëndruar larg kamerave në vitet e fundit, ndërsa Khloe përdor shfaqjen në televizionin "Hulu" për të promovuar markën e saj të xhinseve, “Good American”. Disa sezone të fundit të "KUWTK" ishin tërësisht të mbushura me debate mbi mungesën e pjesëmarrjes së Kourtneyt.
Pavarësisht këtij ndryshimi, Staples shkruan se trashëgimia e Kardashians është e padiskutueshme.
Ata kanë revolucionarizuar famën, duke e kthyer në karrierë të “ligjshme” të qenit “i famshëm për faktin se je i famshëm”.
Markat e tyre janë tashmë pjesë e rëndësishme e kulturës pop dhe brezat më të rinj, për shembull, si vajza e Kimit, North West, "po futen në vëmendje si trashëgimtarë të mundshëm të perandorisë".
Me një brez të ri në mesin e tyre, Kardashianët po sigurojnë vendin e tyre në hapësirën kulturore për shumë vjet të ardhshme".
“Aftësia e tyre për t'u përshtatur dhe për të evoluar, qoftë duke iu përkushtuar biznesit apo duke prezantuar pasardhësit e rinj, tregon se nuk duhet hequr dorë ende nga ta. Ylli i tyre mund të mos ndriçojë si dikur, por ata ende operojnë nga një vend i jashtëzakonshëm ndikimi”, ka shkruar tutje Staples.
Sipas tij gjenialiteti i Kardashianëve qëndron në aftësinë e tyre për të kuptuar rëndësinë e ndryshimit. Staples vlerëson se pavarësisht se sa mund të zbehet fama e tyre, ata kanë ndihmuar në krijimin e një rruge të re për të famshmit, siç ka thënë ai, duke lënë pas një trashëgimi që nuk mund të merret nga askush.