Showbiz

A ka energji Hollywoodi t’i rezistojë sërish Trumpit?

Hollywoodi dhe Donald Trump

Richard Lawson, kritik i Vanity Fairit për filmin, televizionin e teatrin, ka shkruar për ndikimin që politika, veçanërisht “Trumpizmi”, ka pasur në kulturën dhe artin amerikan dhe se si ka reaguar Hollywoodi ndaj kësaj periudhe politike.

“E paimagjinueshmja ka ndodhur përsëri, gjë që supozoj, e bën jo edhe aq të paimagjinueshme”, ka shkruar Lawson.

Ai ka filluar duke theksuar se sloganet shpresëdhënëse të fushatës së zëvendëspresidentes, Kamala Harris, si “Ne nuk po kthehemi pas” kanë rezultuar të pasakta.

Lawson ka pyetur se si do të ndihen njerëzit e shoubizit katër vjet të ardhshme dhe cilat do të jenë ndjesitë dhe mendimet e tyre.

Për të parashikuar se si do të jetë klima kulturore në Hollywood, Lawson, është kthyer pas dhe ka shikuar filmat dhe serialet që u prodhuan gjatë periudhës së parë të Trumpit. Disa nga këto krijime, si “Black Panther” dhe “The Post” dhe “The Handmaid’s Tale”, reflektuan mbi luftën kundër “Trumpizmit” dhe përpjekjet për tu përballur me një botë të re dhe të pasigurt.

Disa prej tyre ishin të frymëzuara nga ndjenja e një qeverie që shkatërron qytetarët, por ndryshe nga ato që mund të kishin ndodhur nëse Hillary Clinton do të kishte fituar në 2016, ato ishin më të drejtpërdrejta në reagimin ndaj Trumpit.

Lawson ka cekur se vërehet që ka pasur një lëvizje të fuqishme #MeToo gjatë mandatit të parë të Trumpit, që ka nxjerrë në pah abuzimet e pushtetit dhe ka krijuar filma si “Promising Young Woman”, “Bombshell”, dhe “The Assistant”, që kritikojnë dhunën seksuale dhe sistemet që e mbështesin atë. 

Po ashtu, filma si “Don’t Look Up”, i regjisorit Adam McKay kritikonin politikën e mohimit të klimës, ku Trumpi përfaqësonte qeverinë që nuk e merrte seriozisht kërcënimin e ndryshimeve klimatike.
Tash, pasi Trump ka marrë një mandat të dytë, Lawson mendon se arti do të bëhet më i errët dhe më pesimist, siç ndodhi pas sulmit të 11 shtatorit të vitit 2001. Ai e sheh kulturën si më të lodhur dhe më të dorëzuar, duke iu nënshtruar ndjenjës që “Trumpizmi” mund të jetë diçka që nuk mund të ndryshohet, dhe se Amerika ka hyrë në një periudhë më të keqe që nuk mund të shihet si një “periudhë kalimtare”. Lawson ka pyetur se çfarë mund të bëjë arti për t’iu kundërvënë këtyre forcave.

“Personat që dikur rezistonin, tash mund të jenë të kufizuar, jo vetëm nga lëndimet e të kaluarës, por nga COVID-i, nga erozioni i vazhdueshëm i të drejtave civile, nga armiqësia e rritur e kulturës ndaj grave, ndaj njerëzve me ngjyrë, imigrantëve, si dhe komunitetit LGBT+”, ka shkruar tutje Lawson.
Ai mendon se Hollywoodi mund ta shmangë përballjen drejtpërdrejtë me Trumpin dhe pasojat e tij për shkak të frikës se mund të humbasë audiencën. Për këtë arsye, arti që mund të dalë përballë “Trumpizmit” do të vijë më shumë nga kinemaja e pavarur dhe nga vendet jashtë SHBA-së, ndërsa Hollywoodi mund të vazhdojë të prodhojë më shumë argëtim të drejtuar për audiencën konservative, si serialet si “Yellowstone”.

Në fund, Lawson tregon shqetësimin se sa mund të mblidhen njerëzit për të shikuar filma ose programe së bashku, kur shumë prej tyre janë të ndarë dhe po i ndjekin përmbajtje të personalizuara përmes algoritmeve të rrjeteve sociale si TikTok. 

Ai e ka përfunduar shkrimin me një pyetje të hapur: “Çfarë lloj filmi ose shfaqjeje do mund t’i bashkonte përsëri njerëzit për t’i bërë të shikojnë përmbajtje së bashku?”.

Në përgjithësi, Lawson shkruan për një periudhë të lodhjes dhe të pesimizmit që ka kapur shumë njerëz, dhe se arti mund të përballet me një shoqëri më të shkatërruar, por mund të jetë gjithashtu më i errët dhe i trishtuar për t’u përballuar me këtë realitet të ri.