Showbiz

6ix9ine dënohet sërish me burg

Tekashi 6ix9ine

Daniel Hernandez, reperi i njohur si Tekashi 6ix9ine, u dënua të martën në New York me një muaj e gjysmë burgim për disa shkelje të lirimit me kusht, shkruan ABC News.

Dënimi është pak më shumë sesa kërkuan prokurorët federalë.

“Shkelja e besimit të gjykatës është e madhe”, ka thënë gjyqtari i Gjykatës së Qarkut të SHBA-së, Paul Engelmayer.

Hernandez, 28 vjeç, u deklarua fajtor për pesë shkelje, duke përfshirë udhëtimin pa leje në Las Vegas dhe Florida, nuk respektoi dy herë testimin për drogë dhe doli pozitiv për metamfetaminën.

“Pesë shkelje më thonë se ju besoni se rregullat nuk vlejnë për ju? Ndoshta e besoni këtë sepse jeni reper i famshëm, Tekashi 6ix9ine?”, ka thënë Engelmayer.

6ix9ine pranoi përgjegjësinë për shkeljet, por kërkoi dënim të butë.

“Unë nuk dua të kthehem në burg”, i tha reperi gjyqtarit.

Engelmayer në vitin 2020 i dha Hernandezit lirimin e parakohshëm nga burgu pas një marrëveshje për pranimin e fajësisë në vitin 2018.

6ix9ine u akuzua në nëntor të vitit 2018 si pjesë e grupit të dhunshëm “Nine Trey Gangsta Bloods”. Akuzat varionin nga shantazhi deri te vrasja.

Asokohe, 6ix9ine mund të dënohej më shumë se 30 vjet burgim nëse shpallej fajtor. Por ai arriti marrëveshje për pranim të fajësisë dhe madje dëshmoi kundër udhëheqësve të grupit Anthony Ellison dhe Ajermiah Mack.

Hernandez mori famë të madhe në fund të vitit 2017 me publikimin e këngës “Gummo”. Ai publikoi një album raggaeton, “Leyenda Viva”, në qershor 2023 dhe më pas albumin më të fundit, “Blackballed”, në dhjetor 2023.